Mijëra vetë në protesta kundër kufizimeve në Evropën veriperëndimore

Evropë

Mijëra vetë në protesta kundër kufizimeve në Evropën veriperëndimore

Më: 5 dhjetor 2021 Në ora: 06:26
Protesta

Dhjetëra mijëra protestues marshuan në disa qytete të Evropës veriperëndimore të shtunën kundër kufizimeve të vendosura mes një rritjeje të infeksioneve me koronavirus.

Mijëra vetë protestuan në Vjenë të shtunën kundër masave kufizuese.

Përballë rritjes së infeksioneve ditore, muajin e kaluar Austria u bë vendi i parë në Evropën Perëndimore që rivendosi masat e bllokimit. Autoritetet kanë njoftuar gjithashtu se do ta bëjnë të detyrueshëm vaksinimin duke filluar nga muaji shkurt.

Disa prej rreth 40 mijë protestuesve mbanin pankarte ku shkruhej: "Unë vendos vetë", "Ta bëjmë Austrinë të madhërishme sërish" e "Zgjedhje të reja", një shenjë e problemeve politike në këtë vend, i cili brenda dy muajsh, ka patur tre kancelarë.

Rreth 1200 oficerë policie monitoruan protestën. Policia tha se do t'u kujtonte marshuesve të mbanin maska dhe se do të ngrinin akuza ndaj atyre që nuk do ta bënin një gjë të tillë. Ndërkohë po në Vjenë u zhvillua një kundërprotestë me pjesmarrjen e rreth 1,500 personave.

Këtë javë një komision parlamentar miratoi dyfishimin e kohëzgjatjes së masave kufizuese, në 20 ditë, për të cilën qeveria ka thënë se do të jetë afati maksimal.

Austria, një vend me 8.9 milionë banorë, ka raportuar rreth 1.2 milionë raste me koronavirusit dhe më shumë se 12,000 vdekje që nga fillimi i pandemisë. Rastet e infeksioneve të reja kanë rënë që nga fillimi i bllokimit.

Protesta u zhvilluan edhe në qytetin holandez Utrecht. Kufizimet në këtë vend hynë në fuqi fundjavën e kaluar.

Kjo ishte protesta e parë e madhe në Holandë kundër masave, të cilat përfshijnë mbylljen e bareve, restoranteve dhe shumicën e dyqaneve gjatë natës, me synimin për të frenuar një valë rastesh me COVID-19, që po kërcënon të mbingarkojë sistemin e kujdesit shëndetësor.

Në Frankfurt, policia shpërndau një demonstratë të disa qindra njerëzve të cilët nuk po mbanin maska apo distancë fizike. Autoritetet thanë se përdorën shkopinj gome e spërkatje me piper pasi u sulmuan nga një grup protestuesish.

Dhe në Berlin, grupe të vogla njerëzish u mblodhën për të protestuar. Autoritetet arritën të bllojnë zhvillimin e një demonstrate më të madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat