Milorad Dodiku gjithnjë e më i vetmuar?

Evropë

Milorad Dodiku gjithnjë e më i vetmuar?

Më: 11 janar 2022 Në ora: 08:35
Milorad Dodik

Prej 30 vjetësh, data e 9 janarit, përvjetori i pavarësisë së Republikës Srpska, është burim mosmarrëveshjesh në Bosnjë-Hercegovinë. Vazhdimi i festimit të saj krijon një mjedis të pasigurt, kritikojnë ekspertët.

Në festimin e ditës antikushtetuese të Republikës Srpska më 9 janar, këtë vit nuk u tha asgjë e re dhe e ndryshme në krahasim me të kaluarën, por përvjetori u shënua në kohën e një prej krizave më të thella politike në Bosnjë-Herecegovinë, prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit. Gjatë manifestimit u fol për pavarësinë e RS dhe për bashkimin me Serbinë. Ndërsa në këtë ditë jokushtetuese të RS ka pasur incidente në Gacko, Foçë, Prijedor dhe Janjë, ku ka pasur provokime dhe fyerje ndaj popullatës joserbe. E kjo ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen në këtë vend.

Incidentet i ka dënuar edhe vetë Milorad Dodiku, i cili tha se "RS nuk është një krijesë gjenocidale, siç po përpiqen ta paraqesin atë". Dodik tha se brenda pesë vitesh ai e sheh RS si "të fuqishme, të fortë dhe të pavarur".

"Unë e shoh atë si të fuqishme, të fortë, demokratike, si një faktor të rëndësishëm në rajon dhe e shoh si të pavarur. Mbetja në një B-H parakushtetuese është për ne sikur të mbetemi diku buzë rrugës. Ajo që nevojitet është që në B-H të gjendet një vullnet dhe mençuri për të respektuar tërësisht Kushtetutën e B-H. Përndryshe, B-H do të shkatërrohet,ndërsa Republika Srpska do të shkojë drejt daljes nga ajo", tha Dodik në akademinë solemne me rastin e shënimit të ditës së RS.

Image
Millorad Dodik

 

Analistët nga Republika Srpska thonë se festimi i ditës së RS nuk është futje e gishtit në sy të fqinjit të një besimi tjetër. Kështu mendon edhe shumica e njerëzve në këtë entitet.

"E dhimbshme për njerëzit nga komunitetet e tjera"

Historia e 9 janarit ka nisur në ditën e miratimit të Deklaratës për Shpalljen e Republikës së Popullit Serb në Bosnjë dhe Hercegovinë në hotelin Holiday Inn, në Sarajevë në vitin 1992. Që nga ajo ditë e deri në vitin 2014, kjo ditë është festuar me pritje dhe një akademi ceremoniale. Por anëtari i atëhershëm boshnjak i Presidencës së B-H, Bakir Izetbegoviq kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e B-H që të shqyrtojë kushtetutshmërinë e ligjit për festa në RS. Ndërsa në vitin 2017 në RS është futur edhe parada e njësive të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Srpska.

Disa muaj pas apelit të Izetbegoviqt, Komisioni i Venecias paralajmëroi se shënimi i Ditës së RS mund të jetë "i dhimbshëm për njerëzit që i përkasin komuniteteve të tjera".

Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e B-H e rrëzoi Ligjin e RS për Festat, me shpjegimin se 9 janari është i diskutueshëm tek dy popujt tjerë të B-H. Por pala serbe nuk e ka pranuar kurrë deri në fund këtë vendim.

Image

 

Baza për miratimin e ligjit në RS ishte një referendum i mbajtur më herët (rezultatet e të cilit u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese e B-H), ku qytetarët janë përgjigjur në pyetjen: "A e mbështesni që 9 janari të shënohet dhe festohet si Dita e Republikës Srpska?". Rreth 99 përqind e pjesëmarrësve në referendum janë shprehur pozitivisht. Profesori i të drejtës kushtetuese, Nurko Pobriq, thekson se vendimet duhet të respektohen, por për këtë nuk ka përgjegjësi.

Institucionet duhet të veprojnë

Kodi Penal i B-H parashikon që mosekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese trajtohet si vepër penale. E fakti që ende nuk është përgjigjur askush për shpalljen antikushtetuese të datës 9 janar, kjo nuk ka lidhje vetëm me çeshtjet juridike”, tha Pobriq. Gjykata Kushtetuese nuk e ka kontestuar të drejtën e Republikës Srpska që të shënojë ditën e saj, por thjesht se kjo ditë nuk mund të jetë 9 janari, sepse historikisht, secila palë e shikon këtë datë nga një këndvështrim tjetër. Ramiz Salkiq thotë se vazhdimi i festimit të Ditës jokushtetuese të RS.

Image
Bakir Izetbegovic

 

"Meqenëse Prokuroria nuk është përgjigjur deri më tani, shfrytëzoj rastin t'i bëj thirrje publike që të hetojnë se kush është përgjegjës për kundërshtimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, shkeljen e Marrëveshjes së Dejtonit, rrezikimin e paqes, diskriminimin, përhapjen e intolerancës fetare, kombëtare, sjelljen e paligjshme, shpërdorimin e pushtetit dhe shpenzime jo të duhura të mjeteve buxhetore të entitetit”, tha Salkiq.

Lidhur me këto zhvillime ka reaguar edhe Ambasada e SHBA-së në B-H, e cila rikujton se festimi i Ditës së RS është antikushtetuese, ndërsa vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme.

Opozita

"Unë do të preferoja të mos irritojmë askënd me shënimin dhe festimin tonë, ndonëse kjo është një trashëgimi 30-vjeçare, pëer të cilën meritën më të madhe e kanë Ushtria e Republikës Srpska dhe SDS," tha Saroviq, i cili rekomandon që në vend të policisë të kalojnë në paradë biznesmenët më të mirë.

Opozita në RS ka probleme, sepse çdo reagim tjetër nga qëndrimet e Dodikut do të thoshte se ata janë serbë më të vegjël apo tradhtarë,mendojnë analistët.

Analistja Tanja Topiq thotë: "Kaherë këtu po vendoset një shenjë barazie mes Dodikut dhe RS”, dhe shton se çdo interpretim i ndryshëm atje paraqet tradhti. Por ajo thekson se pas sanksioneve të fundit (amerikane) ndaj Dodikut, sigurisht që gjërat po ndryshojnë.

Image
Analistja Tanja Topic

 

"Dodiku me siguri që nuk është i vetëm në politikën e inateve. Por ai po mbetet gjithnjë e më i vetmuar me këto qëndrime, e kjo do të shihet mirë në të ardhmen. Qëndrimet ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese do të ndryshojë në ditën kur të largohen strukturat e tanishme nga skena politike, sepse ato respektojnë vetëm gjërat që ju shkojnë në favor”, përfundon Topiq./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat