FFK nuk e pëson keq nga UEFA, e pëson keq nga vetvetja

Opinione

FFK nuk e pëson keq nga UEFA, e pëson keq nga vetvetja

Nga: Gani Mehmeti Më: 20 nëntor 2026 Në ora: 19:43
Gani Mehmeti

Në çdo shoqëri, shoqatë, organizim e shtet ka rregulla dhe ligje, të cilat duhet të zbatohen. Përndryshe, ai që nuk i zbaton, largohet, nëse nuk largohet vetë.

Kështu ndodh edhe me lojërat e futbollit, dhe këtë duhet ta dinë të gjithë futbollistët dhe njerëzit, përgjithësisht.

Kosova është shtet laik, që do të thotë se është shtet jofetar. Po, Kosova nuk është i vetmi shtet jofetar – shtet laik është edhe vetë Turqia, prej së cilës, siç supozohet, na ka ardhur religjioni mysliman.

Tani, me rastin e lojërave futbollistike, çdo lojtar dhe secili i angazhuar duhet të merret gjatë asaj kohe vetëm me futbollin, duke lënë anash gjithçka tjetër, pra edhe religjionin. Në lojërat evropiane e botërore, ne takohemi me të gjithë ata që kanë fituar të drejtën për pjesëmarrje nga i gjithë rruzulli tokësor, me të cilët duhet të kemi edhe sjellje të mira e reciproke, pa u bazuar në prejardhjen e tyre kombëtare, religjioze, racore etj. Nuk është e nevojshme të ngrihet apo të ulet asnjë ekip. Ngritjen dhe uljen e secilit ekip në sporte e bën fitorja, jo diçka tjetër.

Këto moskuptime apo ndërhyrje religjioze më së paku na takojnë ne shqiptarëve, kur dihet se u përkasim tri religjioneve kryesore.

Ne kemi respektuar secilin religjion deri sot dhe as që i kemi ndërhyrë njëri-tjetrit, përveçse u kemi uruar festat përkatëse besimtarëve të secilit religjion. Kurrë nuk e kemi përqeshur as luftuar tjetrin në baza fetare, madje as komunitetin serb, me të cilin kemi qenë në luftë të vazhdueshme për fajin e tyre, për shkak të politikave të tyre pushtuese e çkombëtarizuese të shqiptarëve.

Nëse kjo ka ndodhur nga tifozët, edhe ata duhet të jenë të disiplinuar dhe ta shohin se asgjë nuk u bëjnë të tjerëve, por kësaj i thonë: «Sill e bjerë vetit»! Pra, të keqen ia sjellim Federatës së Futbollit të Kosovës, me masat e dënimet e marra ndaj FFK-së.

Prandaj, si në rastin e zhurmës në kohën e himnit izraelit, ashtu edhe në rastin tjetër të tifozëve në vendin tonë, kjo është edhe një ligësi e dobësi jona, jo e atyre ndaj të cilëve është bërë.

Si individ, jam për zbatimin e rregullave e ligjeve, prandaj edhe i arsyetoj masat e dënimet ndaj secilit që i thyen ato.

Nuk jam njeri i dhënë pas sportit, por sa herë luajnë ekipet tona shtetërore e kombëtare të të dy shteteve, i përcjell rregullisht dhe, kuptohet, se anoj për të dyja këto.

Sot, përmes kamerave, është e mundshme të identifikohen edhe keqbërësit dhe ata që shkaktojnë incidente, si dhe të dënohen personalisht, duke u kërkuar që çdo dënim financiar ta mbulojnë vetë. Kam fituar një bindje se shqiptari i padisiplinuar disiplinohet vetëm kur e dënon me mjete financiare. Ai e di vetëm xhepin për të ecur rrugës. Nuk i trembet burgut, i duket si krenari dhe se atje ha bukë pa paguar. Kur dënohet me të holla, e kupton sa i rëndë është dënimi. Edhe kur shkaktohen dëme materiale, ato duhet të mbulohen nga ata që i bëjnë dhe pastaj disiplina vihet në vend.

Kjo vlen edhe për të gjithë njerëzit.

Një fqinj imi, që punon në Gjermani prej rinisë së hershme, po më tregonte se një punëtor gjerman i kishte thënë: «Vetëm i tutna ligjit, se të keqe pa bërë nuk do të kisha lënë!» Pra, kjo që thashë unë nuk vlen vetëm për shqiptarin, por për njerëzimin. Por, duhet ZBATUAR LIGJI. E ligji t’i dënojë me para.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat