Përparime në bisedimet Turqi-Armeni

Evropë

Përparime në bisedimet Turqi-Armeni

Më: 19 janar 2022 Në ora: 20:25
Flamuri turk

Vëzhguesit thonë se po shohin përparime në përpjekjet për rihapjen e kufirit mes Turqisë dhe Armenisë pas bisedimeve në Moskë për normalizimin e marrëdhënieve. Sipas analistëve, ripërtëritja e lidhjeve të ndërprera që nga viti 1993 mund të ndryshojë rajonin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, njofton nga Stambolli se megjithatë të dyja palët kanë ende disa pengesa për të kapërcyer.

Turqia mbylli kufirin e saj me Armeninë në vitin 1993, pasi forcat armene morën territore të Azerbajxhanit në luftime mbi enklavën e diskutueshme të Nagorno-Karabakut.

Por ndërhyrja e forcave azere në vitin 2020, duke rimarrë territorin, mund të hapë mundësinë për ripërtëritjen e marrëdhënieve Turko-Armene, thotë për Zërin e Amerikës Sinan Ulgen me Qendrën për Studime Ekonomike dhe Politikë të Jashtme me qendër në Stamboll.

“Aktualisht nuk ka asnjë pengesë të qartë ndaj afrimit mes Armenisë dhe Turqisë. Turqia vendosi të mbyllë kufirin për shkak të pushtimit të territoreve në luftën e viteve 1990-1993. Aktualisht ky argument nuk qëndron dhe ka mesazhe pozitive nga Armenia për afrimin me Turqinë.”

Delegacionet turke dhe armene u takuan në Moskë javën e kaluar për bisedime normalizimi. Të dy palët thanë se bisedimet ishin konstruktive.

Rihapja e kufirit do të ndihmonte dhjetëra mijëra armenë që punojnë në Turqi, shumë prej të cilëve duhet të bëjnë udhëtimin e lodhshëm me autobus përmes Gjeorgjisë fqinje.

Por e kaluara mund të bëhet pengesë në përpjekjet për afrim mes dy vendeve. Armenia akuzon perandorinë osmane për gjenocid ndaj pakicës armene në Turqi gjatë Luftës së Parë Botërore. Ankaraja refuzon gjenocidin dhe këmbëngul se vdekjet ishin pjesë e pasojave të luftës civile.

Nga ana tjetër, analistët sugjerojnë se Jerevani nuk dëshiron që e kaluara të rrezikojë përpjekjet e afrimit. Richard Giragosian, drejtor i Qendrës së Studimeve Rajonale, foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

“Është një politikë pa parakushte, çka do të thotë se normalizimi nuk është pajtim. Nuk ka të bëjë me gjenocidin armen. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe kufijtë e hapur përbëjnë minimumin themelor mes dy vendeve fqinje. Pajtimi do të vijë më vonë, me normalizimin si një bazë e rëndësishme.”

Normalizimi do të ndihmojë në çtensionimin e marrëdhënieve të Ankarasë me Uashingtonin. Shtetet e Bashkuara i kanë vlerësuar përpjekjet diplomatike ndërsa Kongresi e ka kritikuar ashpër politikën turke e cila ka dëmtuar ekonominë armene. Pa dalje në det, Armenia nuk ka qasje në tregun e madh turk apo rrugët e tranzitit, duke u detyruar të mbështetet tek vendet fqinje Rusia dhe Irani. Disa analistë thonë se hapja e kufirit Turko-Armen mund të lehtësojë varësinë e Jerevanit.

“Do të kishte një ndikim të madh në rajon, kur flasim për lehtësimin e bashkëpunimit, veçanërisht tek transporti. Rritja e bashkëpunimit mes këtyre vendeve do të zvogëlonte plotësisht rolin e Iranit në rajon”, thotë për Zërin e Amerikës Zaur Gasimo me Universitetin e Bonit.

Njoftimi i fluturimeve të reja direkte Turqi-Armeni është fruti i parë i përpjekjeve për afrim. Por përleshjet përgjatë kufirit të paqëndrueshëm azero-armen javën e kaluar, që lanë tre të vdekur, vënë në pah rreziqet që mbeten./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat