Perëndimi paralajmëron pushtim rus, Ukraina bën thirrje për qetësi

Evropë

Perëndimi paralajmëron pushtim rus, Ukraina bën thirrje për qetësi

Më: 27 janar 2022 Në ora: 17:14
Edhe pse Qeveria në Kiev ka kërkuar nga njerëzit që të mos bëjnë panik teksa trupat ruse grumbullohen në kufi me Ukrainën, monedha e vendit, hryvnya, ka rënë në nivelin më të ulët në katër vjet. Foto nga arkivi.

Dëgjoni mesazhin nga Uashingtoni dhe qeveritë e tjera perëndimore në lidhje me kërcënimin në rritje nga Rusia: Një pushtim është i pashmangshëm.

Dëgjoni kreun e Këshillit Kombëtar për Siguri dhe Mbrojtje të Ukrainës dhe zyrtarët e tjerë, përshirë presidentin Volodymyr Zelenskiy dhe do të dëgjoni një mesazh tjetër: Mos bëni panik, mos ekzagjeroni.

Ka shumë pak mospajtime se çfarë po ndodh në kufijtë e Ukrainës: të paktën 60 grupe të batalioneve teknike ruse, mbi 100,000 trupa dhe disa prej armatimeve më të avancuara të Rusisë në mënyrë të frikshme janë vendosur afër kufijve. Në fakt, Moska ka zgjedhur që të mos e mbajë të fshehtë, atë që shumë ekspertë thonë se është një vendim i ndërgjegjshëm për të dërguar sinjale në Ukrainë, NATO dhe Shtetet e Bashkuara.

Por, ka mospajtime rreth asaj se çfarë do të thotë në të vërtetë ky grumbullim ushtarak dhe cili mund të jetë qëllimi – edhe zyrtarët ukrainas dhe ata perëndimorë kanë mesazhe publike diametralisht të kundërta.

“Është një vendim politik, në zyrën e presidentit: ‘Mos bëni panik’”, tha Andriy Ryzhenko, një kapiten detar në pension, që në të kaluarën ka mbajtur postin e zëvendësshefit të shtabit në marinën e Ukrainës.

“Cila është arsyeja për këtë? Nëse politikanët ukrainas e pranojnë se ekziston ky përshkallëzim dhe ky kërcënim, investitorët ekonomikë do të tërheqin fondet e tyre, [monedha kombëtare ukrainase] hryvnia do të bie. Ne tashmë po e shohim këtë, po shohim se paratë po tërhiqen nga Ukraina”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

“Ukraina ka po të njëjtën inteligjencë, po të njëjtin informacion si amerikanët, si Perëndimi”, tha një ish-zyrtar ukrainas i inteligjencës ushtarake, i cili kërkoi që të identifikohej me pseudonimin Viktor.

“Krejt ka të bëjë me interpretimin. Lidershipi ynë nuk do që njerëzit të bëjnë panik”.

Një arsye e madhe pse grumbullimi rus është sekret publik është përhapja e burimeve të informacionit - siç janë fotografitë, videot, oraret e qarkullimit të trenave. Imazhet nga kompanitë komerciale satelitore ofrojnë fotografi me rezolucion të lartë, që mund të analizohen lehtësisht nga amatorët dhe personat e trajnuar.

Dhe SHBA-ja, që është furnizuesja më e madhe e armëve dhe pajisjeve ushtarake të Ukrainës, ka qenë jashtëzakonisht e gatshme që të ndajë inteligjencën e saj të sofistikuar: jo vetëm me Kievin, por edhe me aleatët evropianë dhe të NATO-s. Ky është një dallim nga ajo që ndodhi pasi Rusia më 2014 aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe pas shpërthimit të luftës në lindje të Ukrainës, ku Moska i mbështetë forcat separatiste.

Por, për javë të tëra, ka qenë kryesisht Uashingtoni që ka dhënë alarmet më të fuqishme lidhur me dislokimin e trupave të Rusisë, diçka që zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, e bëri sërish më 25 janar.

“Mendoj se kur ne kemi thënë se ishte e pashmangshme, qëndron e pashmangshme”, u tha Psaki gazetarëve kur u pyet lidhur me paralajmërimet e SHBA-së. “Por, sërish, ne nuk mund të bëjmë një parashikim se çfarë vendimi do të marrë presidenti [ i Rusisë, Vladimir] Putin. Ne ende jemi të angazhuar në diskutime diplomatike dhe negociata”.

Dy ditë më parë, megjithatë, Oleksiy Danilov, sekretar i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes i Ukrainës, kundërshtoi disa prej këtyre paralajmërimeve.

“Pse partnerët e tjerë e bëjnë këtë së bashku? Ne kemi disa pyetje për këtë”, tha Danilov për Shërbimin Ukrainas të BBC-së. “Ne kemi respekt të madh për të gjitha shtetet. Ne u jemi mirënjohës për ndihmën e tyre, por diçka po mungon këtu, nuk është e nevojshme që të thuhet”.

Zelenskiy vetë ka prezantuar një version ukrainas të “ruajtjes së qetësisë” në deklaratat e tij publike.

“Nuk ka syze shumëngjyrëshe, nuk ka iluzione fëmijërore, nuk është gjithçka e thjesht... Por, ka shpresë”, tha Zelenskiy gjatë një video-adresimi të publikuar më 25 janar. “Mbroni trupin tuaj nga viruset, trurin tuaj nga sëmundjet, zemrën tuaj nga paniku”.

Kjo deklaratë duket se ishte përgjigje ndaj njoftimit të bërë dy ditë më herët nga Departamenti amerikan i Shtetit, që tha se një pjesë e stafit diplomatik të SHBA-së do të evakuohet nga Kievi dhe u bëri thirrje amerikanëve që ta shqyrtojnë mundësinë e largimit nga Ukraina sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ai njoftim, që u pasua nga një njoftim i ngjashëm nga Britania, Gjermania, Kanadaja dhe Australia, tërhoqi vëmendjen e disa ukrainasve, të cilët më herët kishin qenë më pak të shqetësuar nga mundësia e një pushtimi.

Zelenskiy duket se inkurajonte atë mungesën e shqetësimit të madh. “Çfarë ka të re? A nuk ka qenë ky realiteti për tetë vjet? A nuk ka nisur pushtimi më 2014?”, tha Zelenskiy në një video-mesazh tjetër të publikuar më 19 janar. “Gjithçka është nën kontroll. Nuk ka asnjë arsye për panik”.

Po atë ditë, në takimin me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, presidenti Zelenskiy duket po ashtu se shprehu mospajtim publik me vlerësimet amerikane.

“Mendoj se ne në përgjithësi kemi agjendë të njëjtë, por ne ende duam të diskutojmë për disa çështje në detaje, sepse inteligjenca juaj është e shkëlqyeshme, por ju jeni larg shtetit dhe ne jemi këtu dhe mendoj se i dimë disa gjëra pak më thellë rreth shtetit tonë”, tha lideri ukrainas, sipas një transkripti të Departamentit amerikan të Shtetit.

Përfaqësuesit e zyrës së Zelenskiyt nuk janë përgjigjur menjëherë për komente të mëtejme lidhur me këtë çështje.

Gjatë intervistës për BBC-në, Danilov bëri të ditur më shumë për strategjinë:

“Ne e theksuam këtë tani dhe e artikuluam me partnerët tanë se ne nuk mund të lejojmë që ekonomia jonë të bjerë. Ne, po ashtu, kemi nevojë për këtë gjë. Tekefundit, nëse qytetarët janë në gjendje paniku – kjo do të ishte një situatë e rrezikshme për shtetin”, tha Danilov.

Është e paqartë se sa po funksionojnë këto deklarata. Monedha e Ukrainës, hryvnya ka rënë mbi 5 për qind në tre muajt e fundit dhe shënoi vlerën më të ulët më 26 janar, tha Kyiv Independent.

Megjithatë, nuk ka raportime për blerje nga paniku në dyqane ushqimore apo dyqane të tjera. Çmimet e benzinës janë rritur – një prej karburanteve që përdoret më së shumti për makina tani është shtrenjtuar për pothuajse 10 për qind krahasuar me muajin dhjetor – edhe pse rritja mund të ketë ndodhur për shkak të luhatjeve të vlerës së monedhës. Ukraina importon nga Rusia shumicën e benzinës dhe derivateve të tjera që përdoren për transport.

Zelenskiy, po ashtu, ka bërë deklarata edhe më të ashpra, veçanërisht për inteligjencën ukrainase, që sugjeroi se ai sheh një kërcënim të madh rus.

“Inteligjenca ukrainase gjithmonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në përballjen me kërcënimet e jashtme. Ka ardhur koha jo vetëm për ta penguar në mënyrë efektive, por edhe për të nisur veprime sulmuese në mbështetje të interesave kombëtare të Ukrainës”, tha Zelenskiy përmes një deklarate, që habiti shumë persona në Kiev dhe gjetkë.

Dallimet në deklaratat midis Kievit dhe Perëndimit mund të shpjegohen pjesërisht nga inteligjenca e sofistikuar amerikane: satelitët amerikanë thuhet se kanë rezolucion të kapin imazhe më pak se 10 centimetra në tokë, diçka që potencialisht mund të lejojë analistët të mund të lexojnë edhe emrat e ushtarëve që kanë në uniformat e tyre.

Për dallim, satelitët e rinj të vëzhgimit të Ukrainës, që janë vënë në funksion vetëm pak javë më parë, thuhet se kanë rezolucion rreth tetë metra.

Paralajmërimet më të rënda nga Shtetet e Bashkuara duket se, po ashtu, janë një strategji e llogaritur, tha Viktor Andrusiv, drejtor i Shkollës së Administratës Publike në Kiev.

“Ajo se çfarë po bëjnë amerikanët është se po minojnë ‘casus belli’ nga rusët”, tha ai, duke iu referuar termit latin për aktin që provokon apo justifikon një luftë. “Duke e krijuar këtë histeri dhe duke thënë ‘do të ketë luftë, do të ketë luftë, do të ketë luftë’, ata po u japin rusëve shkak për të bërë provokim për luftë”.

“Sepse, çfarëdo që bëjnë ata, Rusia do t’i njohë si agresorë. Është një lloj strategjie, nëse rusët bëjnë çdo gjë për të pushtuar, do të jetë një konfirmim”, tha ai. “Kjo minon fillimin e luftës, në një mënyrë të mirë”.

Ana negative, tha Andrusiv, është se “kjo godet ekonominë tonë”, duke shkaktuar potencialisht “histeri ekonomike” dhe duke e çuar vlerën e hryvnya në 100 për dollar. “Dhe, atëherë rusët nuk do të duhet ta pushtojnë Ukrainën sepse ekonomia do të kolapsojë dhe ne do të kemi trazira të mëdha”./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat