Erdogan shkarkon shefin e statistikave pas raportit për inflacion

Evropë

Erdogan shkarkon shefin e statistikave pas raportit për inflacion

Më: 29 janar 2022 Në ora: 09:19
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka shkarkuar kreun e agjencisë shtetërore të statistikave, sipas një dekreti të publikuar më 29 janar.

Ky njoftim është bërë disa javë pasi Sait Erdal Dincer, shef i Institutit Turk të Statistikave ka publikuar raportin që tregon se shkalla e inflacionit është më e larta në 19 vjet.

Në vend të Dencer është emëruar, Erhan Cetinkaya.

Erdogan nuk ka dhënë sqarim për emërimin e Centinkayas, i cili më parë ka shërbyer si zëvendësshef i rregullatorit bankar të Turqisë.

Dincer është kritikuar si nga Qeveria, ashtu edhe nga opozita, pasi ka publikuar të dhëna më 3 janar që tregonin se çmimet e konsumit janë rritur për 36.1 për qind në muajin dhjetor, në krahasim me një vit më parë.

Kjo shifër ka qenë më e lartë sesa parashikimi prej 27 për qind i analistëve.

Opozita turke ka thënë se shpenzimet për jetesë janë të paktën dyfish më të larta, derisa mediat turke kanë raportuar se Erdogan është zemëruar për publikimin e të dhënave.

Inflacioni i lartë ka gërryer fuqinë blerëse në Turqi, ku janë rritur çmimet e ushqimit, transportit, ngrohjes, rrymës dhe gjërave tjera të domosdoshme.

Inflacioni është përkeqësuar nga ndërhyrja e Erdoganit në Bankën Qendrore dhe politikat e tij për ekonominë.

Ndonëse zakonisht Bankat Qendrore luftojnë inflacionin përmes rritjes së normave të interesit dhe ashpërsimit të politikave monetare, Erdogan ka thënë se shkalla e lartë e interesit shkakton inflacion.

Lideri turk i ka bërë presion Bankës Qendrore për të ulur normat e interesit disa herë, çka ka rezultuar me zhvlerësim të lirës.

Kjo valutë turke ka humbur 44 për qind të vlerës së saj kundrejt dollarit amerikan, vitin e kaluar.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat