Elizabeth nesër bën plot 70 vjet mbretërim

Evropë

Elizabeth nesër bën plot 70 vjet mbretërim

Më: 5 shkurt 2022 Në ora: 19:16
Elizabeth Alexandra Mary Windsor

Elizabeth Alexandra Mary Windsor nuk ka lindur për ta mbajtur kurorën e mbretëreshës. Por, fati ndërhyri.

Ajo do t’i mbushë plot 70 vjet në fron të dielën, një udhëheqje e paprecedentë që e ka bërë atë një simbol të stabilitetit derisa Mbretëria e Bashkuar ishte në një epokë pasigurie.

Që nga ditët e saj të hershme të udhëheqjes, mbretëresha u bë dëshmitare e fundit të Perandorisë Britanike, ardhjen e multikulturalizmit, rritjen e terrorizmit ndërkombëtar, sfidat që solli Brexit dhe pandeminë COVID-19.

Në një botë ndryshimesh të pamëshirshme, ajo ka qenë konstante – duke përfaqësuar interesat e Mbretërisë së Bashkuar jashtë vendit, duke duartrokitur sukseset e kombit, duke u treguar e dhimbshme për dështimet e tij dhe duke qëndruar gjithmonë mbi grindjet  politike.

“Kjo qëndrueshmëri duhet t’i japë Elizabeth një epitet mbretëror si ata të paraardhësve të saj si William Pushtuesi apo Alfredi i Madh”, tha historiani i mbretërisë, Hugo Vickers.

“Gjithmonë kam menduar se ajo duhet të quhet Elizabeth e Palëkundura. Unë mendoj se është një mënyra më e përsosur për ta përshkruar atë. Ajo nuk e priste që të bëhet mbretëreshë, por e bëri këtë detyrë”, tha Vickers për Associated Press.

Si vajza më e madhe e djalit të dytë të mbretit George V, Elizabeth parashihej që të jetonte një jetë mbretërore të dorës së dytë kur ajo u lind më 21 prill të vitit 1926. Qen dhe kuaj, një shtëpi fshati – një jetë komode, por pa ngjarje të mëdha.

Por, gjithçka ndryshoi një dekadë më vonë, kur xhaxhai i saj Mbreti Edward VIII, lëshoi fronin për t’u martuar me një amerikane të divorcuar. Babai i saj u bë Mbreti George VI, duke e bërë princeshën e re pasardhëse të fronit.

Mbretëresha sot ka prerë një tortë për të shënuar jubileun e saj teksa takoi anëtarët e komunitetit Sandringham në prag të 70-vjetorit të mbretërimit të saj.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat