(E plotësuar) - Kriza në Ukrainë, flet Putin: Rusia nuk dëshiron luftë
Presidenti Putin është pyetur nëse ai mund të përjashtojë mundësinë e luftës në Evropë.
Ai i referohet komenteve të mëparshme të kancelarit Scholz se brezi i tij nuk mund ta imagjinojë luftën në Evropë - por thekson se kontinenti ka parë luftë në Jugosllavi në vitet 1990, të cilën ai pretendon se ishte iniciuar nga NATO, shkruan BBC, përcjell Bota sot.
Putin thotë se Rusia nuk dëshiron luftë dhe kështu ka paraqitur propozime për fillimin e një procesi negociator - por ai thotë se nuk ka pasur asnjë përgjigje konstruktive ndaj propozimeve të Rusisë.
Megjithatë, ai shton se ka ende çështje të paraqitura nga NATO dhe SHBA, të cilat mund të diskutohen.
***
Kancelari gjerman Olaf Scholz thotë se dëshiron që Vladimir Putin t'i dërgojë negociatorët e tij me një "mandat pozitiv në mënyrë që të arrijmë përparim".
Kancelari shton se “siguria mund të arrihet vetëm me Rusinë, jo kundër Rusisë”.
Ai thotë se NATO dhe Europa janë të bashkuar në mendimin se duhet gjetur një zgjidhje, sado e vështirë. Të gjithë duhet të jemi të guximshëm dhe të përgjegjshëm në veprimet tona, thotë ai.
Scholz shton se "lufta është bërë e paimagjinueshme në Evropë dhe ne duhet të sigurohemi që ajo të mbetet e tillë".
Nis takimi Putin-Scholz në Moskë
Në Moskë kanë nisur bisedimet mes presidentit rus Vladimir Putin dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz.
Është takimi i fundit në javët e përpjekjeve diplomatike për të zbutur tensionet mbi Ukrainën.
Gjatë fjalës së hapjes, Putin thotë: "Për fat të keq, ne do t'i kushtojmë një pjesë të konsiderueshme të kohës tonë çështjeve që lidhen me situatën në Evropë dhe me sigurinë."
Kancelari gjerman mbërrin në Moskë
Përpjekjet diplomatike po vazhdojnë, me kancelarin gjerman Olaf Scholz duke mbërritur në Moskë, ku do të takohet me Presidentin Valdimir Putin.
Përpara takimit, ai mori pjesë në një ceremoni të vendosjes së kurorave në Varrin e Ushtarit të Panjohur pranë Murit të Kremlinit.
***
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka mbërritur në Moskë për bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin.
Ata do të bisedojnë për krizën në Ukrainë.
Në vend që të bënte një test rus të koronavirusit, Scholz vendosi që një mjek nga ambasada gjermane të kryente testin PCR – një kërkesë para se të hynte në Kremlin, shkruan Aljazeera.
Sipas burimeve nga delegacioni gjerman, zyrtarët rusë të shëndetësisë janë ftuar të jenë të pranishëm për testin.