A mund të ndiqet penalisht Putini për luftën në Ukrainë?

Evropë

A mund të ndiqet penalisht Putini për luftën në Ukrainë?

Më: 11 mars 2022 Në ora: 13:33
Foto ilustrim

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka përshkruar sulmet në një maternitet dhe në një spital për fëmijë, si krime lufte. “Edhe lufta ka rregulla!”; këto rregulla janë të përfshira në traktatet e Konventave të Gjenevës, si dhe në ligje e marrëveshje të tjera ndërkombëtare, raporton A2CNN.

Çfarë është një krim lufte?

Civilët nuk mund të sulmohen qëllimisht – as infrastruktura që është jetike për mbijetesën e tyre. Disa armë janë të ndaluara për shkak të vuajtjeve të tmerrshme që shkaktojnë – të tilla si minat tokësore dhe armët kimike ose biologjike. Të sëmurët dhe të plagosurit duhet të jenë nën kujdes, përfshirë dhe ushtarët e lënduar, të cilët kanë të drejta si robër lufte.

Ligjet e tjera ndalojnë torturën, gjenocidin, si dhe përpjekjen e qëllimshme për të shkatërruar një grup të caktuar njerëzish. Veprat e rënda gjatë luftës, si vrasja, përdhunimi ose persekutimi masiv i një grupi, njihen si “krime kundër njerëzimit”.
 

Konventat e Gjenevës bazohen në disa parime bazë:

1. Stafi mjekësor dhe spitalet në zonat e luftës duhet të mbrohen dhe të lejohen të punojnë lirisht.

2. Të plagosurit në betejë dhe që nuk luftojnë më, kanë të drejtë për trajtim mjekësor.

3. Të burgosurit e luftës duhet të trajtohen në mënyrë njerëzore.

4. Palët ndërluftuese janë të detyruara të mbrojnë civilët (kjo përfshin një ndalim për shënjestrimin e infrastrukturës civile si furnizimet me energji dhe ujë).

Cilat janë akuzat e ngritura për krime lufte në Ukrainë?

Ukraina ka deklaruar se sulmi ajror rus në repartet e maternitetit dhe në ato të fëmijëve në Mariupol, ishin një krim i mirëfilltë lufte. Tre persona, duke përfshirë një fëmijë u vranë, si dhe 17 punonjës e pacientë u plagosën. Ka pasur gjithashtu raporte se trupat ruse kanë shënjestruar civilët ukrainas që po largoheshin nga vendi për t’i shpëtuar dhunës së ushtarëve rusë. Ka prova se bomba thërrmuese – municione që ndahen në shumë bomba – kanë goditur zonat civile në Kharkiv.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar, thotë se Rusia ka përdorur eksploziva termobarikë, të cilët krijojnë vakume masiv duke thithur oksigjen. Këta eksploziva shkatërrues nuk janë të ndaluar – por përdorimi i tyre i qëllimshëm pranë civilëve sigurisht që do të shkelte rregullat e luftës.

A mund të ndiqet penalisht Presidenti Putin ose udhëheqësit e tjerë rus?

Është shumë më e lehtë të identifikosh një krim lufte të kryer nga një ushtar, sesa liderët që urdhërojnë ekzekutimin e këtyre krimeve makabre. Gjithsesi, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mund të ndjekë penalisht edhe për veprën penale: “Kryerja e një lufte agresive”. Kjo akuzë nënkupton se kemi të bëjmë me pushtimin apo konfliktin e pajustifikuar të një vendi.

Mirëpo, profesor Philippe Sands, një ekspert për të drejtën ndërkombëtare në Kolegjin Universitar të Londrës, thekson edhe njëherë faktin se është e vështirë të ndjekësh penalisht liderët e Rusisë, sepse vendi nuk është nënshkrues i Gjykatës. Në teori, siç shpjeguam edhe më lart, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, mund t’i kërkojë Gjykatës Penale të hetojë këtë vepër, por Rusia mund të vërë veton ndaj kësaj, si një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit.

Ndaj në një situatë të tillë, për Profesor Philippe Sands, efektiviteti i Gjykatës Penale nuk varet vetëm nga traktatet, por nga politika dhe diplomacia. Sands dhe shumë ekspertë të tjerë, argumentojnë se ashtu siç u bë në Nuremberg, zgjidhja qëndron te diplomacia dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Ai u bën thirrje liderëve botërorë që të krijojnë një gjykatë të vetme për të ndjekur penalisht krimin e agresionit dhe pushtimit në Ukrainë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat