Gjermani: Doktrinë e sigurisë veç investimeve masive ushtarake

Evropë

Gjermani: Doktrinë e sigurisë veç investimeve masive ushtarake

Më: 26 mars 2022 Në ora: 09:40
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock

Puna për një Strategji Kombëtare të Sigurisë të Gjermanisë ka nisur. Strategjia i drejtohet jo vetëm botës, por edhe gjermanëve. Baerbock kërkon prani të NATO-s në Evropën Juglindore.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock kishte ftuar përfaqësues të trupit diplomatik në ambjentet e Ministrisë së Jashtme, kur e prezantoi fillimin e punës për Strategjinë Kombëtare të Sigurisë (18.03.2022). Gjermania e harton për herë të parë një strategji të tillë kombëtare sigurie.

Kjo ka tërhequr vëmendjen në Evropë pas kthesës historike gjermane në investimet ushtarake. 100 miliardë euro shtesë për mbrojtjen në vitin 2022 dhe prej 2023 mbi 75 miliardë euro në vit, e bëjnë Gjermaninë fuqinë më të madhe ushtarake të Evropës.

Ky shndërrim historik i politikës së jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë, i shpallur nga kancelari Olaf Scholz do të argumentohet tani edhe me një doktrinë të sigurisë së Gjermanisë. Qeveria gjermane do të shpjegojë me këtë Strategji pozicionin e Gjermanisë në botë dhe synimet e Gjermanisë.

Hartimin e një Strategjie Kombëtare të Sigurisë, qeveria gjermane e kishte vendosur që në marrëveshjen e koalicionit qeveritar. "Ne do të paraqesim një strategji gjithëpërfshirëse të sigurisë kombëtare në vitin e parë të qeverisë së re federale", shkruhet në marrëveshje.

Njëkohësisht, lufta e Rusisë kundër Ukrainës përfaqëson një "kthesë gjeopolitike", siç u shpreh ministrja e Jashtme Baerbock. Me luftën në Ukrainë u thye rendi i paqes në Evropë. Kjo zgjon "dëshirë të zjarrtë për siguri", të cilën "ndoshta brezi im nuk e ka ndierë kurrë vërtet", tha Annalena Baerbock.

Punën për hartimin e Strategjisë po e drejton Ministria e Jashtme e Gjermanisë. Por kontribute për Strategjinë do të japin ministria e Mbrojtjes, ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Propozime priten dhe nga institucione kërkimore dhe iniciativa civile. Kjo përfshirje e gjerë e institucioneve qendrore gjermane tregon se Gjermania është e vendosur, për të hartuar një strategji sigurie shumë përfaqësuese.

Edhe në vitin 2016 u hartua një Libër i Bardhë për Politikën e Sigurisë dhe të ardhmen e Bundeswehrit. Por dokumenti u la në harresë, e humbi fuqinë edhe për faktin që në hartimin e tij, ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë nuk përfshiu institucione të tjera, si p.sh. ministrinë e Financave.

Strategjia Kombëtare e Sigurisë – proces ndërgjegjësimi e edukimi

Investimet e jashtëzakonshme për ushtrinë të Gjermanisë qenë të nevojshme prej kohësh. Por këto vendime, në situatën e sulmit rus kundër Ukrainës thjesht u shpallën në Bundestag. Prandaj Strategjia Kombëtare e Sigurisë ka rëndësi jo vetëm për botën, por veçanërisht për opinionin publik gjerman. Periudha disa mujore e hartimit të Strategjisë do të mbledhë jo vetëm impulse shtesë nga aktorë institucionalë dhe të shoqërisë gjermane. Argumentat do t'i shërbejnë edhe ambjentimit të opinionit publik gjerman me komponentin ushtarak.

Image
Predha e një tanku rus godet në Mariupol

Për arsye historike, në Gjermaninë e pas Luftës II Botërore është ushqyer deri sot një aversion ndaj ushtrisë dhe përdorimit të dhunës ushtarake, si mjet për të mbrojtur interesat vetjake. Si rezultat, mendimi publik në Gjermani sot është kryesisht pacifist. Një pjesë e konsiderueshme e opinionit ka pasur prej dekadash një qëndrim miqësor ndaj Rusisë.

Personalitete gjermane shprehen kundër armatosjes së Gjermanisë

Vendimet që shpalli kancelari Scholz për investimet masive ushtarake janë të pakthyeshme. Ato mbështeten nga të gjitha partitë e përfaqësuara në Bundestag dhe do të fiksohen në kushtetutën e Gjermanisë.

Por zërat që ankohen se kthesa historike nuk u parapri nga një debat publik në Gjermani kanë nisur. Të martën (22.03.) personalite të shquara, shkencëtarë dhe politikanë kundërshtuan me një apel publik "armatosjen më të madhe të Gjermanisë që prej Luftës së Dytë Botërore". Në apel ata nuk lënë paqartësi: përgjegjës për luftën në Ukrainë bëjnë Putinin. Por shkruajnë se "armatosja e planifikuar për dekada, nuk u jep fund vdekjeve në Ukrainë, nuk e bën botën më paqësore dhe të sigurtë".

Zëra të tillë do të shtohen, kur shoku i parë i luftës në Ukrainë të spostohet në ndërgjegjen e njerëzve. Argumentimi nga përfaqësuesit politikë i kthesës më të madhe historike politike në dekadat e fundit fiton në këtë kuadër rëndësi të veçantë.

Image
Avioni F-35 Lightning II

Baerbock: "Prani të NATO-s në vendet e Evropës Juglindore"

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock skicoi disa drejtime për punën për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë.

Gjermania angazhohet forcimin e krahut lindor të NATO-s. Që tani është vendosur që Gjermania do të japë një kontribut thelbësor në Sllovaki. Por jo vetëm kaq. Ministrja e Jashtme gjermane u shpreh për një prani të NATO-s në Evropën Juglindore. "I gjithë territori lindor i Aleancës është nën kërcënim të ri, ndaj ne duhet të vendosim prani të NATO-s në vendet e Evropës Juglindore," tha Annalena Baerbock.

Strategjia do të përforcojë nevojën që Gjermania të marrë pjesë në frikësimin bërthamor të NATO-s. Prandaj Baerbocku e ritheksoi vendimin për blerjen nga Gjermania të avionëve amerikanë F-35, që transportojnë armë bërthamore nga Gjermania. Synimi është forcimi i "kapacitetit mbrojtës", si nga sulmet ushtarake ashtu edhe nga ato kibernetike.

Ministrja e Jashtme gjermane u shpreh për nevojën e përqafimit të një koncepti të gjerë të sigurisë. Annalena Baerbocku kujtoi se sigurinë e ndikojnë edhe faktorë joushtarakë si diplomacia, puna kulturore, arsimi, sporti, mediacioni në kriza, edhe nëse rezultatet nuk shihen „të nesërmen". Veç diplomacisë dhe bashkëpunimit ekonomik, Baerbock-u kërkoi të veprohet edhe me instrumentat e „mbështetjes financiare dhe substanciale". „Sepse kaq komplekse sa janë krizat, kaq komplekse duhet të jenë përgjigjet tona".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat