LIVE: Ukraina rimerr të gjithë rajonin e Kievit, kjo është lëvizja e fundit e Rusisë

Evropë

LIVE: Ukraina rimerr të gjithë rajonin e Kievit, kjo është lëvizja e fundit e Rusisë

Nga: Bota sot Më: 2 prill 2022 Në ora: 06:24 Përditësuar në ora: 09:56 më 02.04.2022
Ushtarët ukrainas në një automjet ushtarak jashtë Kievit të shtunën. Fotografia: Vadim Ghirdă/AP

Shtatë korridore humanitare do të hapen sot

Shtatë korridore humanitare janë rënë dakord për evakuimin e civilëve sot, sipas zëvendëskryeministres së Ukrainës.

Iryna Vereshchuk tha se rrugët përfshijnë një për njerëzit që nisen me transport privat nga qyteti i Mariupol dhe me autobusë për banorët e Mariupolit nëpërmjet qytetit të Berdyansk, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

Kryqi i Kuq ka thënë se ekipi i tij është në lëvizje nga Zaporizhzhia në Mariupol këtë mëngjes.

Mariupol ka qenë nën rrethim për javë të tëra, duke u përballur me granatime pothuajse të vazhdueshme nga forcat ruse.

Deri më tani, përpjekjet për të evakuuar civilët kanë pasur sukses të përzier.

Dje, Kryqi i Kuq dërgoi një ekip për të udhëhequr rreth 52 autobusë ukrainas dhe automjete të tjera private jashtë qytetit, por ata u kthyen pasi gjetën se kushtet ishin shumë të rrezikshme./G.B/

Me këtë lloj armatimi do të ndihmohet Ukraina nga SHBA-të

Gresa Bajraktari Gresa Bajraktari

SHBA do të punojë me aleatët për t'i siguruar Ukrainës tanke të prodhuara nga sovjetikët për të forcuar mbrojtjen e saj në rajonin e Donbasit, raportoi New York Times, duke cituar një zyrtar amerikan, përcjell Bota sot.

Transferimi i pajisjeve, i kërkuar nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, do të fillojë së shpejti, tha zyrtari i paidentifikuar.

Zyrtari nuk pranoi të zbulonte se sa tanke do të dërgoheshin ose nga cilat vende do të vinin.

Ukraina ka kërkuar që të sigurohen tanke dhe avionë të prodhimit sovjetik pasi trupat e saj janë të trajnuar më mirë për t'i trajtuar ato.

UNESCO thotë se janë shkatërruar 53 vende historike në Ukrainë

Agjencia kulturore e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, tha se të paktën 53 vende të rëndësishme kulturore janë shkatërruar në Ukrainë që prej nisjes së luftës.

Këtu janë përfshirë 29 kisha, 16 ndërtesa historike, katër muze dhe katër monumente.

Po ashtu UNESCO tha se janë dëmtuar disa vende historike në dy qytetet më të mëdha ukrainase, Kievi dhe Harkiv, ndërkaq në Çernihiv është shkatërruar një prej vendeve më të vjetra historike.

“Kjo është lista e fundit, por nuk është më përfshirësja, pasi ekspertët tanë po vazhdojnë të verifikojnë raportimet”, tha një zëdhënës i UNESCO-s për agjencinë AFP.

UNESCO tha se po përdor imazhet satelitore dhe dëshmitë e dëshmitarëve okularë për të verifikuar dëmet.

Raketat ruse godasin dy qytete në Ukrainën qendrore

Raketat ruse kanë goditur dy qytete në Ukrainën qendrore, duke dëmtuar infrastrukturën dhe ndërtesat e banimit.

Kështu thotë kreut i rajonit të Poltava, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

Dmitry Lunin tha se një sulm ajror goditi një strukturë infrastrukturore në qytetin e Poltava gjatë natës, ndërsa në Kremenchuk pati "shumë sulme" këtë mëngjes.

I vendosur në lindje të Kievit, qyteti i Poltava është kryeqyteti i rajonit të Poltava dhe Kremenchuk është një nga qytetet kryesore të tij.

Sky News nuk ishte në gjendje të verifikonte menjëherë pretendimet./G.B/

Kryqi i Kuq sërish tenton të kryejë evakuime nga Mariupoli

Një konvoj i Kryqit të Kuq po udhëton në qytetin ukrainas të Mariupolit, për të tentuar sërish që të evakuojë civilët nga ky qytet i rrethuar, teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se forcat ruse po krijonin një “katastrofë” të plotë jashtë kryeqytetit, duke lënë mina “në gjithë territorin”.

Qyteti-port i Mariupolit është qyteti që ka përjetuar shkatërrimet më të mëdha në luftë, ku besohet se mijëra persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë larguar.

Por, dhjetëra-mijëra persona mbeten të bllokuar në qytet pa qasje në ujë dhe ushqim.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha më 1 prill se udhëhoqi një konvoj me rreth 54 autobusë ukrainas dhe disa makina të tjera private, por ky konvoj u kthye mbrapsht për shkak se u tha se nuk kishte kushte për të vazhduar.

“Ata do të tentojnë sërish të shtunën për të lehtësuar një korridor të sigurt për civilët”, tha Kryqi i Kuq.

Çfarë po ndodh në frontet e luftës në Ukrainë?

Instituti i Luftës ka dhënë një vlerësim të fundit lidhur me fushatën ushtarake të Rusisë në Ukrainë, duke ripërsëritur se Moska tani është e përqendruar në lindje të Ukrainës.

Këto janë disa prej gjetjeve kryesore të raportit të këtij instituti:

Rusia ka rishikuar planin e saj ushtarak pas një muaji, ku dështoi të merrte nën kontroll Kievin dhe qytetet e tjera

Pretendimi i Kremlinit se objektivi i tij kryesor gjithmonë ka qenë Ukraina lindore është i rremë dhe se me këtë pretendim po tenton të fshehë dështimin e pjesës së parë të fushatës ushtarake

Operacionet kryesore ruse tani janë të përqendruara në lindje të Ukrainës, ku dëshiron të marrë të gjithë rajonin e Donjeckut dhe Luhanskut

Rusia me gjasë do të marrë Mariupolin në ditët në vijim, por po vazhdon që të pësojë humbje

Ukraina ka rimarrë pjesë të mëdha të territorit në veriperëndim dhe lindje të Kievit, por Rusia ishte në gjendje që të tërhiqte me kohë forcat e dëmtuara në Bjellorusi

Rusia tërhiqet nga aeroporti kryesor i Ukrainës

Gresa Bajraktari Gresa Bajraktari

Forcat ruse thuhet se janë tërhequr nga aeroporti Hostomel, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

Aeroporti pranë Kievit ka qenë subjekt i luftimeve të ashpra që nga dita e parë e konfliktit pasi kapja e tij do t'i kishte lejuar Rusisë qasje më të lehtë në kryeqytet, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

"Forcat ukrainase vazhdojnë të përparojnë kundër tërheqjes së forcave ruse në afërsi të Kievit," tha Ministria e Mbrojtjes në një përditësim të inteligjencës.

Forcat ukrainase gjithashtu kanë rimarrë disa fshatra përgjatë boshtit lindor të luftës, tha ai.

Pas luftimeve të rënda, ata kanë siguruar një rrugë kyçe në Kharkiv lindor pas çlirimit të Trostyanets në fillim të kësaj jave.

Përgjatë boshtit veriperëndimor, përpjekjet e forcave ukrainase për të avancuar nga Irpin drejt Bucha dhe Hostomel janë në vazhdim.

Zelensky: Sanksionet kundër Rusisë po funksionojnë, por duhet të forcohen

Sanksionet kundër Rusisë po funksionojnë, por duhet të forcohen, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë për Fox News të premten.

“Sanksionet definitivisht funksionojnë, dhe Rusia ka padyshim frikë nga sanksionet. Kjo i nxjerr jashtë zonës së komfortit. Kjo e rrëzon ekonominë e tyre. Por ka një pyetje se si funksionojnë sanksionet. Ne po u tregojmë dhe u themi Shteteve të Bashkuara dhe liderëve evropianë, të gjithë duhet të punojnë së bashku shpejt”, tha Zelensky.

“Ato duhet të kenë ndikim te oligarkët, te presidenti i Rusisë dhe te të gjitha partitë dhe në përgjithësi në vend. Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të punojnë për këtë nëse SHBA-të dëshirojnë të kenë negociata të suksesshme”, vijoi presidenti ukrainas.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu.

Pentagoni me pako të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën

Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi se do të ndajë 300 milionë dollarë për “mbështetje të sigurisë” për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Ukrainës.

Me këtë shumë të ndarë, ndihma që Uashingtoni i ka ofruar Ukrainës, që prej se Rusia nisi pushtimi në shkurt, ka arritur në 1.6 miliard dollarë.

Në pakon e re të ndihmës përfshihen sisteme raketash që operohen me laser, pajisje për shikim natën, sisteme të komunikimit të sigurt taktik, furnizime mjekësore dhe automjete të blinduara.

“Ky vendim thekson angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës në mbështetje të përpjekjeve të saja heroike për t’iu kundërpërgjigjur luftës që zgjodhi Rusia”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i Pengtagonit, John Kirby.

Më 30 mars, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky, biseduan për ndihmën shtesë për ushtrinë ukrainase.

Në mesin e muajit mars, Kongresi amerikan kishte miratuar një projektligj ku përfshiheshin 13.6 miliardë dollarë ndihmë humanitare dhe ushtarake për Ukrainën dhe për aleatët e NATO-s në Evropën Lindore.

Pas vendimit të Kongresit, presidenti Biden njoftoi për një pako të re të sigurisë për Ukrainën në vlerë prej 1 miliard dollarësh.

Një pjesë e madhe e pajisjeve ushtarake që SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës, është marrë nga furnizimet e ushtrisë amerikane.

Ndërkaq, ndihma e njoftuar nga Pentagoni, në vlerë prej 300 milionë dollarësh, do të realizohet përmes kontratave për pajisje ushtarake me partnerët në industrinë e mbrojtjes.

Në pakon e re të ndihmës janë përfshirë edhe dronë të llojit Switchblade.

Këta dronë, që njihen edhe si “dronë kamikazë”, mund të drejtohen nga një operator për të gjetur objektivin dhe kur ta gjejnë atë, nisen drejt objektivit dhe shpërthejnë sapo të kenë kontakt me të.

Kirby shtoi se SHBA-ja “do të vazhdojë punën me aleatët dhe partnerët tanë për të identifikuar dhe ofruar për ukrainasit aftësi shtesë”.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Që atëherë, përveç SHBA-së, edhe shtete tjera të NATO-s dhe Bashkimit Evropian i kanë ofruar ndihmë ushtarake Ukrainës që të përballet me agresionin rus.

Zelensky: Trupat ruse po tërhiqen nga veriu i Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se situata ushtarake në lindje të shtetit “vazhdon të jetë ekstremisht e vështirë”.

Gjatë një video-adresimi mëngjesin e së shtunës, ai tha se trupat ruse po tërhiqeshin nga veriu, “me një ritëm të ngadaltë, por të dukshëm”.

Por, ai paralajmëroi se trupat ruse po grumbulloheshin dhe “përgatiteshin për goditje të reja të fuqishme” në rajonin e Donbasit dhe në qytetin e Harkivit.

“Beteja të ashpra na presin në të ardhmen. Nuk mund të mendojmë se ne i kemi kaluar tashmë të gjitha testet”, tha ai.

Zelensky paralajmëroi liderët pro-rusë të instaluar në qytetet e okupuara nuk do të mund të qëndronin në postet e tyre për shumë gjatë.

“Mesazhi im për ta është shumë i thjeshtë: përgjegjësia për bashkëpunim është e pashmangshme”, tha ai.

“E pashmangshme do të jetë që drejtësia do të vjen në vend”, shtoi ai.

Sipas Zelenskyt, Moska po i kërcënon punëtorët e ndërmarrjeve dhe autoritetet në mënyrë që të bashkëpunojnë me ta.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat