Turqi: Përpjekje për të mbyllur grupin për të drejtat e grave

Evropë

Turqi: Përpjekje për të mbyllur grupin për të drejtat e grave

Më: 23 prill 2022 Në ora: 21:25
Protestues në Stamboll mbajnë fotografi të grave, shumica prej të cilave u vranë nga të dashurit ose burrat e tyre.

Turqia është vendi me shifrat më të larta në Evropë të vrasjeve të grave. Një nga grupet më të zëshme që lufton këtë dukuri është platforma “Ne do të ndalim vrasjen e grave”. Por grupi rrezikon të mbyllet në një proces gjyqësor të nisur nga prokurorët publikë të Turqisë, gjë që ka shkaktuar zemërim dhe protesta në të gjithë vendin.

Protestues në Stamboll mbajnë fotografi të grave, shumica prej të cilave u vranë nga të dashurit ose burrat e tyre.

Platforma “Ne do të ndalim vrasjen e grave” iu prin demonstratave dhe aksioneve të tjera me qëllim të futjes së kësaj dukurie në axhendën politike.

Por së fundmi, grupi po lufton për mbijetesë, i akuzuar nën kodin civil të qeverisë turke për minim të vlerave familjare dhe moralit.

“Jam shumë e nevrikosur dhe e mërzitur. Mendoj se kjo është padrejtësi ndaj grave. Ne po luftojmë krimin, por qeveria nuk na mbështet”, thotë për Zërin e Amerikës një protestuese.

Grupi lavdërohet brenda dhe jashtë Turqisë për fushtatat e tij me qëllim të turpërimit të autoriteteve për dështimin në mbrojtjen e grave. Platforma ofron edhe mbështetje ligjore për familjet e viktimave, në betejën për drejtësi.

Por një proces gjyqësor i ngritur nga prokurorët publikë kërcënon mbylljen e grupit.

“Është shumë e frikshme. Nuk mund ta imagjinojmë se çfarë do të ndodhë nëse mbyllemi. Po vazhdojmë luftën për të mos e mbyllur platormën tonë. Përpjekja për ta mbyllur atë është pjesë e politikave shtypëse, kriminalizimit dhe polarizimit kundër organizatave publike demokratike dhe luftës për të drejtat e grave”, thotë Fidan Ataselin nga kjo platformë.

Disa analistë e shohin këtë si përpjekje të Presidentit Recep Tayyip Erdogan për të forcuar bazën e votuesve konservatorë – një akuzë që qeveria e mohon.

Zoti Erdogan largoi Turqinë nga Konventa e Stambollit, traktati i parë ndërkombëtar për mbrojtjen e grave kundër dhunës, me pretendimin se ajo dëmton vlerat e familjes.

Raporti vjetor i Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut ve në dukje të dhënat shqetësuese për dhunën ndaj grave në Turqi.

Grupe për të drejtat e njeriut kritikojnë veprimet e Turqisë kundër platformës.

“Kjo platformë ka qenë shumë e suksesshme në ndërgjegjësimin e publikut, në pjesë të ndryshme të vendit. Përpjekja për ta mbyllur atë duket si hakmarrje ndaj suksesit të tyre”, thotë Emma Sinclair Webb nga organizata “Human Rights Watch”.

Familjarët e grave të vrara janë mbështetësit kryesor të platformës, të cilët janë zotuar të qëndrojnë pranë grupit.

“Kjo platformë është organizata jonë. Kur ata shënjestrojnë këtë grup, ata na shënjestrojnë neve, duke na gërvishur plagën”, thotë Nihat Palandoken.

Në fund të tubimit, protestuesit lexojnë emrat e viktimave. Me shumë gjasë, në protestën e radhës, listës mund t’i shtohen edhe emra të rinj.

Ndërsa qeveria angazhohet për mbylljen e grupit, platforma “Ne do të ndalim vrasjet e grave” mund të mos ekzistojë për të kërkuar drejtësi për vrasjet e grave./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat