Orban paralajmëron për recesion dhe probleme të tjera për Hungarinë

Evropë

Orban paralajmëron për recesion dhe probleme të tjera për Hungarinë

Më: 16 maj 2022 Në ora: 19:01
Kryeministri hungarez, Viktor Orban

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, paralajmëroi për një epokë të pasigurisë dhe lufte në Evropë, teksa më 16 maj Parlamenti Kombëtar e zgjodhi atë në postin e kryeministrit pas fitores në zgjedhjet e muajit të kaluar të partisë së tij, Fidesz.

Orban, i cili u betua për mandatin e katër radhazi si kryeministër, tha se shteti i tij përballet me një dekadë lufte dhe një recesion, por ai u zotua se do të mbrojë vendet e punës, përfitimet e familjeve dhe pensionet.

“Kjo dekadë do të jetë një epokë e rreziqeve, pasigurisë dhe luftërave”, tha ai gjatë fjalimit në Parlament.

Lufta në Ukrainë dhe politika e sanksioneve të Evropës, në përgjigje të kësaj lufte, kanë çuar në një krizë energjetike dhe inflacion, që sipas Orbanit, do të shkaktojë “një periudhë recesioni dhe të rënies ekonomike”.

Përderisa Orban përsëriti ankesat e tij drejtuar Brukselit, se po “abuzon me pushtetin” duke cenuar sovranitetin e shteteve anëtare, ai tha se vendi i Hungarisë gjatë dekadës së ardhshme është në BE.

Ai tha po ashtu se Hungaria nuk do të pengojë sanksionet e BE-së kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, për aq kohë sa ato nuk paraqesin rrezik për sigurinë energjetike të Hungarisë.

Hungaria dhe shtetet e tjera anëtare, përfshirë Sllovakinë dhe Republikën Çeke, po kundërshtojnë sanksionet e propozuara të BE-së. Diplomatët në Bruksel aktualisht po negociojnë për paketën e re të sanksioneve, që kërkon miratimin e të 27 vendeve anëtare të bllokut.

Orban është përplasur me BE-në për çështje të ndryshme, së fundi për të drejtat e komunitetit LGBT dhe për çështjet e sundimit të ligjit. Ai tha se asnjëherë nuk ka qenë më i rëndësishëm anëtarësimi i Hungarisë në NATO./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat