​Vasilev: Çmimet e grurit mund të trefishohen

Evropë

​Vasilev: Çmimet e grurit mund të trefishohen

Më: 21 qershor 2022 Në ora: 17:39
Foto ilustrim

Ministri i Financave i Bullgarisë Assen Vasilev paralajmëroi sot rrezikun nga trefishimi i çmimit të grurit në dimër në rast se Evropa nuk ndërmerr veprime.

Ai në hapjen e Forumit Ekonomik të Sofjes III, saktësoi se aktualisht Rusia nuk eksporton grurë dhe Ukraina nuk mund të eksportojë drithë për shkak të bllokimit të porteve nga Rusia dhe transportit tokësor me kapacitet të kufizuar.

Shumica e sasive të grurit janë blerë nga Kina sepse ka ofruar çmimin më të lartë, tha Vasilev. 

Vendet që kanë më shumë nevojë për drithë, siç janë shtetet e Afrikës Veriore, do të marrin sasi shumë të vogla ose aspak drithëra. Kjo, nga ana tjetër, do të thotë se nga këto vende mund të pritet një valë e madhe emigrantësh drejt Evropës.

“Nëse Evropa nuk aktivizon mekanizmat e tregut për të mbështetur vendet e varfra në marrjen e grurit, mund të pritet një rritje në shkallë të gjerë e çmimeve të ushqimeve në Evropë”, vuri në dukje ministri i Financave. 

Ndërmarrja e veprimeve të bashkuara do të thotë aktivizimi i nenit 15 në mënyrë që të gjitha eksportet jashtë Evropës të kontrollohen dhe të shkojnë tek ata që kanë më shumë nevojë për grurë, në vend të atyre që ofrojnë çmimin më të lartë. Kjo është mënyra për të shmangur krizën dhe katastrofën humanitare, argumentoi Vasilev.

Probleme të tjera do të shfaqen në të ardhmen e afërt, tha ai. Këto do të lidhen me mungesën e materialeve të ndërtimit si dhe të metaleve të rralla, prandaj duhet të ndërmerren veprime të përbashkëta.

Në afat të mesëm, lidhja duhet të përmirësohet midis Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Polonisë në mënyrë që të ndërtohen tubacionet e nevojshme të gazit, rrugët dhe linjat hekurudhore për transportin e mallrave. 

Vasilev parashikoi se Deti i Zi do të jetë i papërdorshëm si një rrugë transporti të paktën në të ardhmen e afërt pasi kjo do të ishte shumë e rrezikshme. Ai bëri thirrje për një vendimmarrje më të shpejtë në nivel të BE-së sepse veprimet duhet të ndërmerren më shpejt./BTA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat