Situata në Lisiçansk është “shumë e rëndë”

Evropë

Situata në Lisiçansk është “shumë e rëndë”

Më: 29 qershor 2022 Në ora: 09:16
Pamje nga Lisiçansku.

Forcat ruse janë duke bombarduar qytetin e Lisiçanskut pa dallim dhe zyrtarët rajonalë ukrainas, e kanë përshkruar situatën si “shumë të vështirë”.

Ky është qyteti i fundit që kontrollohet nga forcat ushtarake të Ukrainës në lindje të shtetit.

Inteligjenca britanike ka thënë në përditësimin e saj të fundit më 29 qershor se forcat ruse vazhdojnë të bëjnë përparim në tentimet e tyre për rrethim të Lisiçanskut.

Udhëheqësi i Luhanskut, Serhiy Hayday, rajon ku gjendet Lisiçansku, ka raportuar po ashtu për rritje të aktivitetit ushtarak.

“Rusët janë duke përdorur secilën armë që kanë… pa bërë dallim nëse shënjestrat janë ushtarake apo jo – shkollat, kopshtet e fëmijëve, institucionet kulturore”, ka thënë Hayday.

Sipas tij, situata në Lisiçansk i ngjan asaj të Severodonjeckut, ku forcat ruse kanë shkatërruar ndërtesë pas ndërtese.

Severodonjecku ka rënë nën kontrollin e Rusisë më 25 qershor.

“Situata në Lisiçansk është shumë e vështirë. Gjithçka po shkatërrohet”, ka thënë Hayday.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë se ka shënjestruar me qëllim civilët në një qendër tregtare në Kremençuk, ku kanë vdekur të paktën 18 persona dhe dhjetëra të tjerë janë të plagosur.

“Raketa ruse ka goditur këtë lokacion me qëllim. Me qëllim. Është e qartë se vrasësit rusë kanë pasur koordinatat e sakta”, ka thënë Zelensky në adresimin e tij ditor.

“Ata kanë dashur të vrasin sa më shumë njerëz”.

Përveç kësaj, Zelensky u ka kërkuar Kombeve të Bashkuara që të dërgojnë një të dërguar special në zonën e sulmit.

Autoritetet besojnë se rreth 36 njerëz janë ende të zhdukur pas sulmit të 27 qershorit.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë në përditësimin e saj të fundit më 29 qershor se “ka mundësi reale” që sulmet me raketa në qendrën tregtare në Kremençuk, kanë pasur cak një objekt infrastrukturor në afërsi.

Në deklaratën e saj është thënë se mungesa e precizitetit nga ana e rusëve, në kryerjen e sulmeve me rreze të gjatë, ka rezultuar edhe në të kaluarën me një numër të madh viktimash në incidentet në Kramatorsk.

Presidenti rus Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat