Ish-kancelari Schröder padit Bundestagun

Evropë

Ish-kancelari Schröder padit Bundestagun

Më: 12 gusht 2022 Në ora: 16:52
Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schröder

Sapo kaloi përpjekjen për përjashtimin nga Partia Socialdemokrate, ish-kancelari gjerman, Gerhard Schröder kalon në ofensivë dhe padit një organ kushtetues.    

Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schröder padit Bundestagun për rikthimin e privilegjeve të tij si ish-kancelar. 78 vjeçari kërkon që t'i rivihet në dispozicion zyra e ish-kancelarit bashkë me punonjësit, ka bërë të ditur, avokati i tij, Michael Nagel për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa. Padia është dorëzuar në Gjykatën Administrative të Berlinit, tha Nagel.

Në një deklaratë të studios ligjore të kancelarit, thuhet, se vendimi i komisionit buxhetor të Bundestagut për heqjen e mjeteve që iu vihen në dispozicion ish-kancelarëve, si edhe pezullimi i përdorimit të zyrës janë shkelje ligjore. Pretendohet, se ish-kancelari nuk kryen më angazhimet që dalin nga "detyrimet pasuese të shërbimit". Por nuk përcaktohet se "cilat janë detyrimet pasuese të shërbimit, si përcaktohet  marrja apo mos marrja e tyre në konsideratë dhe çfarë procedure duhet ndjekur."

Image
Gerhard Schröder dhe Vladimir Putin

"Shkruar në ballë"

"Të gjithë procedurës i është shkruar në ballë", se ka arsye të tjera 'për rregulloret e reja', që luajtën rol në vendimin e komisionit buxhetor." Vendime të tilla të kujtojnë një shtet absolutist dhe nuk kanë vend në një shtet demokratik, thuhet më tej në deklaratën e studios ligjore të ish-kancelarit.

Ish-kancelari Schröder u kritikua mjaft ashpër pas fillimit të luftës së Putinit në Ukrainë për shkak të angazhimit të tij për koncernet ruse dhe afërsinë me Putinin. Vërtet që komisioni buxhetor nuk e argumentoi shprehimisht vendimin që mori me punën e Schröderit për koncernet energjitike apo qëndrimin e tij ndaj luftës në Ukrainë.

Shpenzimet e personelit të ish-kancelarit i kanë kushtuar arkës së shtetit 400.000 euro vitin e kaluar.Kurse pensionin si ish-kancelar Schröder prej 8300 eurosh vazhdon ta marrë edhe pas vendimit për zyrën, ashtu si edhe mbrojtjen me truproja./DW

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat