Steinmeier: Feja dhe arsyeja!

Evropë

Steinmeier: Feja dhe arsyeja!

Më: 2 shtator 2022 Në ora: 08:43
Frank-Walter Steinmeier

Si gati asnjë president federal para tij, Frank-Walter Steinmeier, trajtoi çështjen e fesë së krishterë. Ai u bën thirrje për përgjegjësi edhe ortodoksëve rusë.

Ai sërish paralajmëroi aktorët fetarë për domosdoshmërinë e angazhimit shoqëror dhe përgjegjësinë publike: "Dashuria për tjetrin nuk është vetëm bamirësi", thekson presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier. "Ajo mund dhe duhet të ketë edhe pasoja politike. Mund dhe duhet të ekzistojë edhe në luftën për drejtësi, në angazhimin për pjesëmarrjen e të margjinalizuarve në procese."

Kreu i shtetit foli në hapjen e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit Botëror të Kishave në Karlsruhe. Dhe ia bëri të qartë publikut, përfaqësuesve të kishës nga 120 vende, bindjen e tij themelore: të qenit i krishterë nuk duhet të kufizohet në devotshmëri larg botës. Kushdo që e merr seriozisht mesazhin e Jezusit duhet të veprojë. Ai merret me arsyen dhe përgjegjësinë e bazuar në besim.

Image
Frank-Walter Steinmeier

66-vjeçari Frank-Walter Steinmeier është President dhe një i krishterë i reformuar. Ai i përket të krishterëve protestantë. Në 500-vjetorin e Reformacionit, në vitin 2017, ai u zgjodh për herë të parë kryetar i shtetit. Që atëherë, Steinmeier u është drejtuar kishave, të krishterëve në vend, drejtpërdrejt me paraqitje dhe fjalime si asnjë president gjerman para tij.

Vetëm këtë verë ai mbajti disa fjalime. Në fund të majit, ai foli në Shtutgart në hapjen e Konventës Katolike Gjermane. I krishteri i reformuar Steinmeier i inkurajoi besimtarët, të cilët ishin të ndrojtur përballë krizës së vazhdueshme të kishës, të deklarohen publikisht. Në korrik ai foli edhe në Paderborn si referuesi kryesor në Festivalin Libori, i cili u festua për të 500-tën herë. Pak ditë më parë ai bëri homazhe për ish-kryetarin e Këshillit të Kishës Ungjillore në Gjermani, Wolfgang Huber, me një fjalim parimor. Dhe tani në Karlsruhe.

Feja si temë e politikës së jashtme

Image
Foto arkiv

Steinmeier qëllimisht angazhohet dhe mbështet praninë publike të fesë në mënyra të ndryshme, por ai nuk kufizohet vetëm tek të krishterët. Ky angazhim ishte edhe më i rëndësishëm në kohën kur ai ishte kryetar i grupit parlamentar të SPD-së (2009-2013) se sa sot. Si Ministër i Jashtëm (2013-2017), ai ankoroi temën e fesë në Ministrinë e Jashtme dhe themeloi departamentin "Feja dhe Politika e Jashtme". Nëse Steinmeier nuk do të ishte bërë President më 2017, ai do të kishte qenë President i Kongresit të Kishës Ungjillore Gjermane në 2019 - kjo dukej pothuajse e sigurt.

Kur në Ministrinë e Jashtme filluan konferencat e para me përfaqësues të lartë fetarë nga e gjithë bota, si mikpritës ishte pasardhësi i Steinmeier, Sigmar Gabriel, i cili e pa rëndësinë e temës dhe ndoqi traditën. Edhe më pas ka pasur takime, por pasardhësi i Gabrielit Heiko Maas nuk kishte interesim të njëjtë. E mbështetur nga Ministria e Jashtme, organizata ndërfetare botërore "Religions for Peace" është takuar disa herë që nga viti 2019 gjatë qëndrimit të ish-ministrit Heiko Maas në Lindau në liqenin e Konstancës. Maas kurrë nuk udhëtoi për në eveniment dhe as nuk dërgoi një përshëndetje kuptimplotë. Në vend të kësaj, referuesi në fillim të 2019 ishte Steinmeier.

Udhëtimet e Presidentit janë shoqëruar edhe me vizita tek autoritetet e kishës. Protestanti i martuar me një katolike, ka udhëtuar dy herë, në tetor 2017 dhe në tetor 2021, në Vatikan dhe është takuar me Papën.

Rëndësia e transparencës

Image
Papa Françesko dhe Frank-Walter Steinmeier

Steinmeier nuk është lloji i predikuesit si paraardhësit e tij Johannes Rau apo Gustav Heinemann, as famulltari i gjermanëve si luterani Joachim Gauck, e as shpjeguesi akademik-teologjik si Richard von Weizsäcker. Por Steinmeier herë pas here luan secilin prej këtyre roleve. "Protestanti praktikues", siç tha ai dikur, është i shqetësuar për rëndësinë e fesë për shoqërinë.

Fjalimi që Steinmeier mbajti në tetor 2019 si një "Fjalim Etik Global" në Tübingen duket si një përmbledhje e pozicionit të tij. Fillimisht ai përshëndeti Hans Kung (1928-2021), i cili mungonte për shkak të moshës së thyer dhe sëmundjes, i cili është angazhuar me dekada të tëra për dialog fetar. Kjo është e një rëndësie historike, tha Steinmeier. Më pas ai nderoi edhe "efektin formësues të kulturës" të feve dhe promovoi idenë e bashkëpunimit të tyre "nga një këndvështrim etik global", si një bashkëjetesë e fesë dhe arsyes. "Feja që sfidon arsyen mund të bëhet e verbër ndaj realitetit dhe të joshet në dogmatizëm të ashpër, me pasoja të tmerrshme - ndoshta një nga kërcënimet më katastrofike të moralit të përbashkët."

Në fjalimin e tij në Karlsruhe, Steinmeier e përditësoi këtë paralajmërim duke përdorur shembullin e ortodoksisë ruse dhe kursin e saj që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë. Steinmeier ishte pothuajse i zemëruar.

Steinmeier nuk e përmendi me emër Patriarkun Ortodoks Rus Kiril, një aleat i ngushtë i Presidentit Vladimir Putin. Por ishte mjaft e qartë për të kuptuar se çfarë po thotë. Përgjegjësit e Kishës Ortodokse Ruse po i çojnë aktualisht besimtarët e tyre në një "rrugë të keqe, madje plotësisht antifetare dhe blasfemuese, të gabuar". Ata "u bashkuan me krimet e luftës kundër Ukrainës", u ankua.

Image
Takim i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit Botëror të Kishave

Presidenti, duke folur për një "ideologji totalitare të maskuar si teologji". Edhe këtu ai përmendi arsyen. Asnjë i krishterë që ende ka "besimin, arsyen dhe shqisat e tij" nuk do të "njihte në këto vepra një vullnet të Zotit".

Steinmeier i bën thirrje shprehimisht Asamblesë Botërore të Kishave që të kundërshtojë ortodoksinë ruse në dialogun me përfaqësuesit e Moskës. "Dialogu nuk është një qëllim në vete. Dialogu duhet të trajtojë padrejtësinë, duhet të diferencojë viktimat si dhe autorët e veprave - si dhe ata që ndihmojnë në realizimin e tyre." Nëse një dialog "kufizohet vetëm tek dëshirat dhe mbetet i paqartë, ai bëhet, në rastin më të keq, një skenë për justifikim dhe propagandë". Para kësaj zgjedhjeje qëndron asambleja e KBK-së. Këto fjalë tingëllojnë si një paralajmërim.

Ngjashëm por asokohe me pak më shumë rezerva është shprehur Steinmeier edhe në fjalimin e tij në Festivalin Libori në Paderborn në korrik. "Nuk ka pasur kurrë një linjë të drejtë nga besimi themelor i krishterë deri tek veprimet faktike. Shpesh ka pasur devijime të tmerrshme, krime dhe çoroditje të origjinës së mirë dhe të shëndetshme të fesë." Historia evropiane duhet t'i rikthehet githmonë rrënjëve të vlerave të mira shpirtërore./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat