“Nuk ka vendim” për mbyllje të kufijve në Rusi

Evropë

“Nuk ka vendim” për mbyllje të kufijve në Rusi

Më: 26 shtator 2022 Në ora: 16:07
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Qeveria ruse nuk planifikon të mbyllë kufijtë, pasi dhjetëra mijëra makina – kryesisht me burra – janë nisur drejt Gjeorgjisë, Finlandës, Kazakistanit dhe Mongolisë, meqë presidenti rus, Vladimir Putin ka marrë vendim për mobilizim të pjesshëm.

Përmes këtij vendimi, ai synon të angazhojë 300.000 rusë shtesë në luftën e nisur në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

Zyrtarët perëndimorë vlerësojnë se Rusia është përballur me 70.000-80.000 viktima prej nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

Duke iu përgjigjur pyetjes për mundësi të mbylljes së kufijve, Peskov ka thënë se “nuk ka informacione për diçka të tillë”.

“Deri në këtë moment nuk është marrë ndonjë vendim për këtë gjë”, ka thënë Peskov.

Ndërkohë rusët kanë vazhduar të largohen nga shteti.

Sipas mediave lokale, më shumë se 260.000 njerëz kanë ikur prej kur Kremlini ka bërë të ditur mobilizimin e pjesshëm javën e kaluar.

Ushtruesi i detyrës së shefit të Komitetit të Kazakistanit për Migrim, Aslan Atalyqov, ka thënë më 26 shtator se numri i rusëve që kanë hyrë në këtë shtet prej 22 shtatorit, është rritur në mënyrë dramatike.

Ai ka thënë se rreth 40.000 rusë tashmë janë larguar drejt shteteve tjera – kryesisht në Uzbekistan dhe Kirgizi – pas hyrjes në Kazakistan ditë më parë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat