​Në Gjermani ka gjithnjë e më shumë ujqër

Evropë

​Në Gjermani ka gjithnjë e më shumë ujqër

Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 18:47
Ilustrim

Në Gjermani është rritur numri i ujqërve, e me këtë edhe numri i sulmeve të regjistruara ndaj bagëtive, gjë që ka ndezur sërish debatin për lejet e gjuetisë, njoftoi Zyra Federale për Mbrojtjen e Natyrës në Bon.

“Këtë vit po shënojmë një rritje të lehtë të tufës së ujqërve nga 158 në 161, që është rritja natyrore e pritshme e numrit të kafshëve”, thuhet në njoftimin e Zyrës Federale për Mbrojtjen e Natyrës.

Në të njëjtën kohë, numri i sulmeve të ujqërve ndaj bagëtive, kryesisht dele dhe dhi, u rrit nga 942 në 975, gjë që ndezi sërish debatin për lejimin e vrasjes së ujqërve në pjesët e Gjermanisë ku u regjistrua numri më i madh i sulmeve.

Unioni Demokristian Gjerman (CDU) lansoi së fundmi një rezolutë në Parlamentin Evropian për të ndryshuar direktivën e BE-së për mbrojtjen e florës dhe faunës, e cila do të mundësonte vrasjen e kontrolluar të ujqërve.

Një raport i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Natyrës thotë se shtetet federale me numrin më të madh të ujqërve morën fonde të konsiderueshme për mbrojtjen e tufave. Për këtë qëllim vitin e kaluar janë ndarë 16.6 milionë euro, ndër të tjera për ngritjen e gardheve elektrike dhe blerjen e qenve roje.

Në të njëjtin vit, shteti pagoi më shumë se gjysmë milioni euro dëmshpërblim për pronarët e tufave që pësuan sulme të ujqërve. Dega gjermane e Organizatës Botërore për Mbrojtjen e Kafshëve, WWF, është shprehur qartë kundër lehtësimit të rregullave për mbrojtjen e rreptë të ujqërve.

"Shifrat aktuale në lidhje me numrin e ujqërve në Gjermani tregojnë qartë se Gjermania ka ende nevojë të investojë në masa që largojnë ujqit nga bagëtia, siç janë gardhet mbrojtëse. Debatet e kota dhe thirrjet populliste për vrasje nuk i ndihmojnë askujt", thuhet në deklaratën e WWF për Gjermani.

Në Gjermani, vrasja e ujqërve është e ndaluar me përjashtime në rastin e sjelljes agresive të kafshëve ndaj njerëzve, e cila, megjithatë, nuk është regjistruar ende që nga futja e këtij rregulli në vitin 1998.

Në të ashtuquajturin vit të ujkut, i cili fillon më 1 maj dhe zgjat deri më 30 prill të vitit pasardhës 2021/2022, janë gjetur 148 kafshë të ngordhura, shumica e të cilave kanë ngordhur në aksidente trafiku. 13 kafshë u vranë ilegalisht pavarësisht ndalimit të vrasjes.

Shumica e ujqërve e kanë origjinën nga Evropa Lindore, veçanërisht Polonia, dhe numri më i madh i ujqërve në Gjermani është regjistruar në zonat lindore, me popullsi të rrallë të Brandenburgut dhe Saksonisë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat