Baerbock bën thirrje për forcimin e Këshillit të Europës

Evropë

Baerbock bën thirrje për forcimin e Këshillit të Europës

Më: 25 janar 2023 Në ora: 08:46
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock 

Në sfondin e sulmit rus ndaj Ukrainës ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock vlerësoi rëndësinë e Këshillit të Europës. Demokracia dhe të drejtat e njeriut janë vlerat thelbësore të Europës.

Si institucion për mbrojtjen e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe respektimit të ligjit Këshilli i Europës duhet të forcohet, kërkoi ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock në një fjalim (24.01.2023) në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg. "Këshilli i Europës është shpirti i Europës", citoi ministrja një deklaratë të ish-kancelarit Konrad Adenauer. "Eshtë detyrimi ynë, që ta mbajmë në jetë këtë shpirt", theksoi ajo.

Këshilli i Europës u themelua në vitin 1949 si mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Në të bëjnë pjesë 46 vende, Rusia u përjashtua pas sulmit ndaj Ukrainës. Në këtë organizatë të shteteve bën pjesë edhe Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, juridiksioni i së cilës është i detyrueshëm për vendet anëtare.

Turqia megjithatë si vend anëtar nuk e njeh një gjykim të kësaj gjykate, në bazë të të cilit duhet të lirohejhumanisti i burgosur Osman Kavala.  Baerbock e quajti "të papranueshëm" qendrimin e qeverisë në Ankara. Që Turqia e injoron këtë gjykim, është thellësisht shqetësuese.

Në agjendën e Asamblesë Parlamentare, që mblidhet disa herë në vit, ndër të tjera përfshihen aspektet e të drejtave të njeriut të luftës sulmuese të Rusisë kundër Ukrainës, përgatitja e samitit të Këshillit të Europës në Reykjavik dhe dhuna e vazhdueshme kundër grave.

Baerbock u siguroi deputetëve, se Gjermania do ta zbatojë plotësisht të ashtuquajturën Konventa e Stambollit për të drejtat e gruas. Gjithashtu Baerbock u bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare, që gjithashtu ta ratifikojnë këtë konventë.

Konventë kundër "dhunës me bazë gjinore"

"Marrëveshja e Këshillit të Europës për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër gruas dhe dhunës në familje" është një marrëveshje për të drejtat e njeriut bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe u miratua pas shumë vitesh negociata më 11 maj 2011 në Stamboll. Konventa i detyron shtetet nënshkruase të saj, që të ndërmarrin masa të gjera për parandalimin, ndërhyrjen, mbrojtjen dhe sanksionet ligjore kundër dhunës me bazë gjinore. Gjermania e ka ratifikuar konventën.

Duke iu referuar samitit të Këshillit të Europës të planiifkuar të zhvillohet në pranverë, Baerbock tha, se në këtë takim krerët e shteteve dhe të qeverive duhet të theksojnë vlerat thelbësore të Këshillit të Europës. "Të gjitha vendet anëtare duhet të respektojnë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut."/DW

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat