Megjithë inflacionin Spanja me bum ekonomik dhe mirëqënie

Evropë

Megjithë inflacionin Spanja me bum ekonomik dhe mirëqënie

Më: 8 shkurt 2023 Në ora: 08:27
Sektori i ndërtimit në zonat turisitike në Spanjë është rigjallëruar

Shifrat e fundit të zyrës së statistikave në Madrid tregojnë se në vitin 2022 ekonomia spanjolle pati 5,5 përqind rritje. Me këtë shifër ky vend europiano-jugor e ka gjendjen më të mirë se shumë vende europiano-veriore.

Pas pandemisë, turistët u kthyen në numër shumë të madh, pavarësisht nga lufta e Ukrainës dhe kriza energjetike. Majorka, ishulli europian i vizituar më shumë, u prenotua thuajse tërësisht sezonin e kaluar. Edhe ishujt Kanare, ku klima është gjithnjë si pranverë, kanë qenë destinacion i preferuar për pushimet dimërore në Europë. Ndërtimi i banesave të pushimit në bregdetin spanjoll po përjeton sërish një bum. Kudo në vend vërshimi i vinçave tregon se motori ekonomik i Spanjës ndodhet në hov të madh.  

5,5 përqind ishte rritja ekonomike vitin e kaluar. Kështu ky vend europiano-jugor i ka punët më mirë se sa pjesa më e madhe e vendeve europiano-veriore, të cilët shohin me xhelozi në drejtim të Pireneve. Kjo shifër është zhvillimi më i madh konjukturor që ka regjistruar Spanja 20 vitet e fundit, turizmi dhe industria e ndërtimit janë lokomotivat e këtij zhvillimi. 

Në Gjermani rritja ekonomike në vitin 2022 ishte 1,9 përqind, në gjithë zonën e Euros ka qenë 3,5 përqind. 

Kryeministri krenar  

Madje vetë kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, u befasua dhe u kënaq kur u bënë të ditura të dhënat e fundit për vitin 2022, vit që u trondit rëndë nga sulmi rus ndaj Ukrainës dhe nga kriza energjetike që pasoi. Për vitin 2023 dhe 2024, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon për spanjollët po ashtu një rritje ekonomike mbi mesataren. "Vendi ynë e ka kapërcyer krizën më mirë se shtetet e tjera përreth,” tha Sánchez duke mos e fshehur krenarinë. 

Dhe jo vetëm sa i përket rritjes ekonomike, e cila ka bërë që papunësia në Spanjë të arrijë nivelin më të ulët të 15 viteve të fundit, megjithëse me 13 përqindshin e tanishëm është ende në nivel të frikshëm (Gjermania e ka 5,7 përqind, mesatarja e BE-së është 6,1 përqind). Edhe në luftimin e inflacionit Spanja ka arritur çudira: Në dhjetor të 2022, rritja e çmimeve ishte ende 5,5 përqind, ndërkohë që në gjithë BE-në niveli ishte 10,4 përqind. Në muajin janar, kur inflacioni në zonën e euros ra në 8,5 përqind, Spanja vazhdoi të ishte nxënës shembullor në kufizimin e rritjes së çmimeve. 

Cila është receta e suksesit?   

Si arritën spanjollët të ulnin spiralen e inflacionit, i cili arriti verën e kaluar 10 përqind edhe në Mbretërinë Spanjolle? Përgjigja: Kryesisht nëpërmjet ndërhyrjes shtetërore në tregun e ushqimeve, qirave dhe energjisë, ato fusha ku konsumatorët japin sasinë më të madhe të parave dhe që shkaktojnë mungesat më të mëdha në kuleta. 

Shembull i mirë kanë qenë sidomos kufizimet e vendosura për çmimin e rrymës: Mbas përvojës së mirë të Spanjës, edhe BE ra dakord që të vendosë në muajin dhjetor tavan çmimesh. Spanja e përdori këtë mekanizëm që në verë të 2022, dhe sot është ndër vendet e BE-së me çmim më të ulët energjie. Ky tavan parashikon që çmimi i shumicës për gazin që digjet në centralet spanjolle për prodhimin e rrymës, të limitohet me ligj. Meqenëse kostot e gazit që përdoret për prodhimin e rrymës kanë ndikim të konsiderueshëm tek krijimi i çmimit, pas vendosjes së tavanit tarifat e rrymës ranë në mënyrë të ndjeshme. 

Qeveria spanjolle vuri frena edhe për qiratë e banesave, gjë që po diskutohet të vendoset tani në të gjithë Europën. Kështu rritja vjetore e qirasë së banesave u kufizua në maksimumi dy përqind. Para se të arrihet kjo, qiratë në Spanjë u rritën në përshtatje me nivelin e rritjes së çmimeve, gjë që ngarkoi rëndë qiraxhinjtë.  

Çmimi: 45 miliardë euro  

Në fillim të 2023 u hodh një hap tjetër për të mbrojtur qytetarët nga pasojat e krizës së inflacionit: Taksa mbi vlerën e shtuar për ushqimet u hoq. Kështu buka, mielli, qumështi, vezët, djathi, frutat, perimet dhe prodhimet e drithërave u liruan. Subvencionet e mëdha shtetërore të transportit publik kanë ndihmuar po ashtu në rënien e nivelit të inflacionit.  

Për udhëtimin me trena u fut një biletë zero euro, abonetë e metrove dhe autobusëve u liruan 50 përqind. Në Majorka dhe Kanare i gjithë transporti publik është falas për banorët e ishullit. 

"Ne kemi vënë në lëvizje 50 miliardë euro”, i tregoi Sánchez parlamentit spanjoll ditët e fundit. Për paketën e krizës, e cila ndihmon si familjet ashtu edhe ndërmarrjet. Duke pasur parasysh ekonominë në zhvillim, por edhe efektet anësore të rritjes së përgjithshme të çmimeve, financimin e ndihmon edhe sasia e madhe e taksave të mbledhura, e cila ka arritur nivel rekord. 

Për të mbuluar shpenzimet e veçanta për krizën, qeveria e qendrës dhe e të majtëve e Sánchez-it, e përbërë nga socialdemokratët dhe partia e majtë, Podemos, mori vendim për vendosjen e një takse të përkohshme solidariteti për bankat, koncernet energjetike dhe multimilionerët. Sánchez tha: "Duhet bërë shpërndarje e drejtë e barrës." /DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat