Në Suedi nis stërvitja më e madhe ushtarake në 25 vjetët e fundit

Evropë

Në Suedi nis stërvitja më e madhe ushtarake në 25 vjetët e fundit

Më: 17 prill 2023 Në ora: 19:28
Foto ilustrim

Duke mbledhur 26,000 ushtarë nga 14 vende, Suedia nisi të hënën manovrat e saj ushtarake më të mëdha në më shumë se 25 vjet, ndërsa oferta e vendit për t’u bashkuar me NATO-n mbetet e bllokuar.

“Stërvitja zhvillohet në ajër, në tokë dhe në det në pjesë të mëdha të vendit”, thanë Forcat e Armatosura Suedeze, duke njoftuar stërvitjen që është planifikuar të zgjasë deri më 11 maj.

Fokusi do të jetë në Suedinë jugore dhe veriore dhe ishullin e rëndësishëm strategjik të Gotland.

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Finlanda, Polonia, Norvegjia, Estonia, Letonia, Lituania, Ukraina, Danimarka, Austria, Gjermania dhe Franca gjithashtu marrin pjesë.

Me shumicën e pjesëmarrësve anëtarë të NATO-s, stërvitjet po vënë në pah luftën e vazhdueshme të Suedisë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake.

Duke i dhënë fund dy shekujve të neutralitetit dhe mosangazhimit ushtarak, Suedia, së bashku me Finlandën fqinje, njoftuan ofertat për t’u bashkuar me NATO-n në maj 2022, në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.

Por ndërsa Finlanda arriti të bëhej anëtari i 31-të i NATO-s më 4 prill, oferta e Suedisë ende përballet me kundërshtime.

Anëtarët e rinj duhet të ratifikohen unanimisht nga të gjithë anëtarët e aleancës dhe Suedia ende përballet me kundërshtimin e Ankarasë dhe Budapestit.

Suedia e ka zemëruar veçanërisht Turqinë duke refuzuar të ekstradojë dhjetëra të dyshuar që presidenti Rexhep Tajip Erdogan i lidh me një përpjekje të dështuar për grusht shteti, të vitit 2016 dhe një luftë të gjatë për pavarësinë e kurdëve.

Diplomatët e NATO-s shpresojnë se Erdogan do të jetë më dakord për ratifikimin nëse fiton zgjedhjet muajin e ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat