Media e pavarur sfidon kontrollin e Erdoganit përpara zgjedhjeve të Turqisë

Evropë

Media e pavarur sfidon kontrollin e Erdoganit përpara zgjedhjeve të Turqisë

Më: 18 prill 2023 Në ora: 16:16
Erdogan

Ndërsa po afrohen zgjedhjet presidenciale në Turqi, të planifikuara për në maj, grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, po dënojnë goditjen ndaj mediave të pavarura që kanë sfiduar kontrollin e presidentit Erdogan mbi mediat kryesore të vendit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Portali i lajmeve Dokuz Sekiz me rrjetin e tij mbarëkombëtar të gazetarëve, është një nga në mediat e pavarura në rritje, që mbulojnë zgjedhjet presidenciale të Turqisë që do të zhvillohen muajin e ardhshëm.

Sondazhet e mëparshme, tregonin për një kontroll të fortë mbi mbulimin mediatik nga presidenti Recep Tayyip Erdogan. Por kjo duket se ka ndryshuar.

“Mediat opozitare, apo mediat e pavarura janë rritur dhe kanë shtuar sferën e tyre të ndikimit. Madje mund të them se për sa i përket numrit të vëzhguesve ditën e zgjedhjeve, audienca dhe ndjekësit e organizatave të pavarura do të jenë shumë më tepër se mediat kryesore. Kështu, përpjekja e qeverisë për të vendosur një monopol dështoi; ata humbën", thotë Gokhan Bicici, kryeredaktor i portalit.

Por autoriteti rregullator i medias, i kontrolluar nga qeveria, po rrit gjobat ndaj stacioneve të pavarura mediatike, gjë që është dënuar nga njëzet media ndërkombëtare dhe mbikëqyrës të lirisë së shprehjes.

“Nëse ka një detyrë rregulluese, institucioni nuk duhet të armatoset kundër një stacioni televiziv kritik përpara këtyre zgjedhjeve vendimtare, thotë Erol Önderoğlu me organizatën Gazetarët Pa Kufi.

Qeveria mohon akuzën për njëanëshmëri nga autoriteti rregullator. Stacionet e pavarura si Halk TV thonë se gjobat janë bërë pjesë e të bërit biznes dhe paralajmërojnë se kërcënimi i vërtetë është mbyllja përpara zgjedhjeve muajin e ardhshëm.

“Në transmetimet tona, ata gjithmonë mund të gjejnë një arsye për një gjobë, një dënim, një intervistë, ose një deklaratë. Dhe kjo është arsyeja, pse ne jemi gjithmonë në gatishmëri. Jemi gjithmonë në pritje. Menaxherët dhe kolegët gazetarë janë përgjegjës për mbajtjen e këtij kanali të hapur. Ne jemi përgjegjës për parandalimin e një ndëshkimi që do ta mbyllte këtë kanal, thotë Bengü Şap Babaeker, drejtor i lajmeve në television Halk.

Pavarësisht rrezikut të mbylljes dhe gjobave, stacionet si Halk kanë tërhequr audiencë të madhe duke mbuluar ngjarje si tërmeti vdekjeprurës i shkurtit, kur raportoi për mangësitë e qeverisë, disa prej të cilave Presidenti Erdogani i pranoi.

Analistët thonë se një mbulim i tillë ka ndihmuar në ndërtimin e reputacionit të medias së pavarur përpara zgjedhjeve, për mbulim të drejtë, por kritik.

“Nuk do të dëgjonim për paaftësinë e qeverisë nëse nuk do të kishte zëra të rinj të medias. Ata bënë vërtet një raportim të mirë. Dhe raportimi i mirë është i mjaftueshëm në vetvete. Nuk duhet të jetë thjesht shprehja e pozicionit të opozitës apo dhënia e zërit ndaj politikanëve të opozitës. Pasqyrimi i asaj që po ndodh në terren është me të vërtetë i rëndësishëm edhe për natën e zgjedhjeve”, thotë për Zërin e Amerikës Sezin Öney me portalin Politikyol.

Në prg të zgjedhjeve janë hapur kanale të reja të pavarura televizive nga gazetarët që u larguan nga puna e që janë kthyer për të ndihmuar në mbulimin e zgjedhjeve që të gjitha palët pretendojnë se janë nga më të rëndësishmet në historinë e republikës turke./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat