Rritja e papunësisë dhe inflacionit shtojnë pasigurinë ekonomike në Britani

Evropë

Rritja e papunësisë dhe inflacionit shtojnë pasigurinë ekonomike në Britani

Më: 16 maj 2023 Në ora: 15:18
Foto ilustrim

Papunësia vazhdoi të rritet në Britani deri në fund të marsit në 3.9%, ndërsa ofertat për punë ranë, një shenjë se kriza e kostos së jetesës dhe inflacioni po rëndojnë aktivitetin ekonomik.

Në tremujorin deri në shkurt, shkalla e papunësisë ishte rritur tashmë në 3.8%, krahasuar me 3.7% midis nëntorit dhe janarit  por mbetet në nivelet më të ulëta historike.

Numri i vendeve të lira të punës shënoi rënie midis shkurtit dhe prillit në rreth 1.1 milion, tha Zyra për Statistikat Kombëtare (ONS) në raportin e saj mujor të punësimit.

Kjo është rënia e dhjetë radhazi dhe reflekton pasigurinë në të gjithë sektorët e ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar, e cila mbetet në prag të recesionit, megjithëse deri tani ka shmangur rrezikun.

Numri i njerëzve që nuk kërkonin punë gjithashtu ra në tremujorin e parë në 21%, pjesërisht falë  të rinjve 16-24 vjeç që kanë më shumë gjasa të jenë në tregun e punës, megjithëse ONS vëren se “numri i atyre që janë papunë për shkak të sëmundjeve afatgjata arrin një nivel rekord”.

Inflacioni, i cili është 10% në Britani, më i larti midis vendeve të G7, vazhdon të të jetë një problem pavarsisht rritjes së pagave. Gjithashtu sipas të dhënave, numri i ditëve të punës së humbura për shkak të grevave shënoi rritje në mars, kryesisht për shkak të grevave në arsim dhe shëndetësi.

Britania është tronditur nga greva të përsëritura për muaj të tërë në të gjithë sektorët që kërkojnë rritje pagash.

Tregu i punës u tkurr më shumë sesa priste Banka e Anglisë në mars.

Kjo mund të largojë një pjesë të presionit për të rritur normat e interesit mbi 4.5% në takimin e ardhshëm të politikës monetare në qershor,” tha Ashley Ëebb, ekonomiste në Capital Economics.

Është inkurajuese të shohësh se shkalla e papunësisë mbetet në nivele historikisht të ulëta, por vështirësitë në gjetjen e punës dhe rritja e çmimeve janë një burim shqetësimi për shumë familje dhe biznese”, tha ministri i Financave Jeremy Hunt.

“Kjo është arsyeja pse ne duhet të qëndrojmë të përkushtuar ndaj planit tonë për të përgjysmuar inflacionin dhe për të ndihmuar familjet që po përballen me vështirësi,” shtoi ai.

Ekonomistët, duke përfshirë Bankën e Anglisë, presin që inflacioni të ulet me shpejtësi pasi çmimet e energjisë që u rritën në fillim të luftës në Ukrainë janë ulur që atëherë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat