Qeveria e re në Berlin ndryshon qasjen ndaj përdorimit të makinave

Evropë

Qeveria e re në Berlin ndryshon qasjen ndaj përdorimit të makinave

Më: 2 tetor 2023 Në ora: 19:44
Foto ilustrim

Ndërsa 22 shtatori shënoi Ditën Botërore pa Makina, një kryeqytet evropian po shkon në drejtimin të kundërt; qeveria e re në Berlin dëshiron të mbrojë të drejtat e shoferëve. Transporti zuri një vend të rëndësishëm në zgjedhjet e shkurtit të kaluar, duke ndihmuar Demokristianët që të rimarrin pushtetin për herë të parë në më shumë se dy dekada.

Rrugët e Berlinit në orët e para të mëngjesit gumëzhijnë nga njerëzit që shkojnë në punë në biçikleta. Disa janë me fat që përdorin korsitë e caktuara për biçikleta, çka e bën udhëtimin më komod. Berlinezët duan më shumë korsi për biçikletat.

“Ka pasur shumë plane, por jo shumë ndërtime aktuale. Mendoj se debati po ndodh, por duhet bërë shumë më tepër”, thotë Elena Witte.

Ndërsa shumë qytete evropiane, si Kopenhagen, Amsterdami dhe Parisi po ulin në mënyrë drastike trafikun e makinave në qendrat e qyteteve në favor të korsive të biçikletave, Berlini ka mbetur prapa, thonë shumë kritikë.

Në kryqëzimin “Potsdamer Platz”, Eva Albers thotë se qyteti duhet të bëjë më shumë.

“Është e vështirë të udhëtosh me biçikletë, por më mirë krahasuar me dhjetë vjet më parë. Kam ardhur nga Freiburg, nga jugu, ku është një parajsë për biçikleta. Krahasuar me atje, këtu është shumë e vështirë. Por po bëhet më mirë”.

Por opinionet janë të ndryshme në rrugët e Berlinit. Shoferët e makinave janë kritikë ndaj infrastrukturës për biçikletat. Ata thonë se korsitë e biçikletave po gjymtojnë rrugët për makinat.

“Sigurisht, çdo qytet ka nevojë për korsi për biçikleta. Por nuk mund ta copëtosh rrugën e makinave dhe t'ua japësh direkt çiklistëve", thotë një shofer.

Këto dallime dolën në pah edhe në zgjedhjet e fundit për parlamentin shtetëror të Berlinit në shkurt.

Berlini nuk është vetëm një qytet, por edhe një shtet, që do të thotë se parlamenti vendor ka një nivel të lartë pavarësie për të miratuar ligje që kanë të bëjnë me qytetin.

Transporti zuri një vend të rëndësishëm në zgjedhje, duke ndihmuar Demokristianët që të rimarrin pushtetin për herë të parë në më shumë se dy dekada. Kritikët thonë se qeveria e re vendore i ka bllokuar të gjitha planet për hapësirat pa makina dhe zonat ku kanë përparësi biçikletat.

“Nuk kam asnjë shpresë për këtë periudhë legjislative”, thotë Ragnhild Soerensen, zëdhënëse e institutit “Changing Cities”.

“Demokristianët kanë bërë një propozim për të ndryshuar ligjin për këtë qëllim. Ata heqin të gjitha avantazhet për qarkullimin e qëndrueshëm për banorët. Gjithçka është hequr në favor të makinave në qytet”.

Por Partia Demokristiane në pushtet thotë se thjesht po korrigjojnë fokusin e padrejtë të qeverisë së mëparshme ndaj biçikletave dhe pikëpamjet negative të llojeve të tjera të transportit.

“Siguria e të gjitha llojeve të transportit është e rëndësishme për të gjithë. Këtu përfshihen udhëtarët, që do të thotë transporti publik si metrotë dhe autobusët. Këtu përfshihen edhe makinat”, thotë zëdhënësi i Demokristianëve, Johannes Kraft.

Kryeqyteti gjerman nuk ka gjasa të bëhet së shpejti një qytet pa makina, ndërsa po ndodh e kundërta./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat