Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme gjatë natës, Moska: Rrëzuam 140 dronë

Evropë

Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme gjatë natës, Moska: Rrëzuam 140 dronë

Më: 27 maj 2026 Në ora: 11:18
Foto ilustrim

Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer edhe gjatë natës sulme të ashpra me dronë dhe raketa, duke shkaktuar të plagosur dhe dëme materiale në të dyja vendet.

Në lindje të Ukrainës, gjashtë persona, mes tyre edhe një i mitur, u plagosën në rajonin e Dnipropetrovskit si pasojë e sulmeve ruse, sipas autoriteteve lokale. Sulmet janë kryer me dronë, artileri dhe bomba të drejtuara.

Po ashtu, në qytetin Zaporizhia u plagosën 15 persona gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa goditje u raportuan edhe në rajonin e Çernihivit.

Në Rusi, dy persona u plagosën në qytetin Taganrog, në jug të vendit pranë Detit Azov, si pasojë e një sulmi ukrainas me raketa, sipas autoriteteve lokale.

Sipas burimeve të tjera, nga sulmi janë dëmtuar edhe një fabrikë riparimi avionësh, ndërsa dronë dhe raketa ukrainase kanë goditur gjithashtu zonat e Tuapses, Voronezhit dhe Krimesë.

Në Tuapse, në Detin e Zi, një zjarr ka shpërthyer në zonën e portit, ndërsa një aeroport ushtarak në Voronezh është goditur gjatë sulmeve.

Në Krime, autoritetet ruse njoftuan se mbi 20 dronë janë rrëzuar mbi portin e Sevastopolit, ndërsa janë raportuar dëme në disa ndërtesa, përfshirë edhe një degë të bankës qendrore.

Nga ana e saj, Ukraina nuk ka dhënë ende koment zyrtar për sulmet e raportuara, ndërsa Rusia thotë se ka rrëzuar gjithsej 140 dronë ukrainas gjatë natës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat