“Droni rus godit Rumaninë” – NATO në alarm, BE paralajmëron sanksione të reja!

Evropë

“Droni rus godit Rumaninë” – NATO në alarm, BE paralajmëron sanksione të reja!

Më: 29 maj 2026 Në ora: 09:42 Përditësuar në ora: 11:12 më 29.05.2026
Zjarr në ndërtesën në Galati, Rumani, pas një sulmi me dron natën e 29 majit.

Incidenti me dron në Rumani, presidenti i Çekisë kërkon përgjigje më të fortë ndaj Rusisë

Presidenti i Çekisë, Petr Pavel ka bërë thirrje për një përgjigje të fortë në mënyrë që Rusia të kuptojë qartë se NATO nuk do të tolerojë sulme të tilla.

Duke e cilësuar sulmin si të papranueshëm, ai theksoi se reagimi ndërkombëtar duhet të jetë më i fortë ndaj Moskës.

“Sulmi i paprecedentë i një droni rus gjatë natës mbi një ndërtesë banimi në Galați të Rumanisë, i cili la dy persona të plagosur, është krejtësisht i papranueshëm. Megjithatë, nuk duhet të ndalemi vetëm duke e dënuar atë së bashku.

Prandaj, unë e mbështes pa mëdyshje thirrjen e Presidentit rumun Dan për një përgjigje të fortë ndërkombëtare. Rusia duhet ta kuptojë qartë se ne nuk do të tolerojmë sulme të tilla.”, shkroi ai në rrjete sociale.

Droni rus goditi një pallat, presidenti i Rumanisë: Nuk do të pranojmë që lufta e Rusisë t’u transferohet qytetarëve tanë

Një dron rus goditi një ndërtesë apartamentesh në Rumaninë lindore herët të premten, sipas autoriteteve, duke shkaktuar një reagim të shpejtë dhe të ashpër nga NATO dhe Bashkimi Evropian.

Ngjarja ndodh në një kohë kur rriten frikërat se Rusia mund të përpiqet ta zgjerojë luftën përtej Ukrainës dhe të shënjestrojë një vend anëtar të aleancës së sigurisë NATO. Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, por Rumania është.

Ministria e Jashtme e Rumanisë tha se droni kishte qenë i përfshirë në një sulm gjatë natës në Ukrainë, por kishte rënë mbi një ndërtesë apartamentesh në Galati të Rumanisë, duke shkaktuar zjarr. Dy persona u plagosën dhe disa të tjerë kërkuan ndihmë mjekësore.

Ministria tha se kishte informuar NATO-n për “shkeljen serioze të së drejtës ndërkombëtare dhe të hapësirës së saj ajrore” dhe kishte kërkuar që aleanca të përshpejtojë dërgimin e kapaciteteve kundër dronëve.

“Ky incident përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga Federata Ruse,” tha ministria në një deklaratë, duke shtuar se do të “ndërmarrë masat e nevojshme diplomatike”.

NATO e dënoi “papërgjegjshmërinë e Rusisë” dhe konfirmoi se ishte në kontakt me autoritetet rumune.

Si anëtare e aleancës së mbrojtjes, Rumania mbrohet nga angazhimi i NATO-s për siguri kolektive, i cili detyron të gjithë anëtarët të ndihmojnë çdo shtet që kërkon asistencë në rast sulmi.

Presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, tha se kishte mbledhur Këshillin e Lartë të Mbrojtjes Kombëtare dhe do të “urdhërojë masa proporcionale ndaj Federatës Ruse”.

“Natyra e paprecedentë e ngjarjes kërkon një përgjigje të fortë, të koordinuar dhe të përshtatshme në nivel kombëtar, aleat dhe ndërkombëtar,” shkroi ai në rrjetet sociale, duke shtuar: “Rumania është shtet anëtar i NATO-s dhe nuk do të pranojë në asnjë mënyrë që lufta e agresionit e Rusisë kundër Ukrainës të transferohet te qytetarët e saj.”

Ky incident nuk është hera e parë që lufta në Ukrainë prek Rumaninë ose vende të tjera të NATO-s. Mbetje nga dronë të dyshuar rusë janë gjetur më parë në Rumani, dhe vende të tjera kanë raportuar shkelje të hapësirës ajrore.

Pas hyrjes së dronëve rusë në hapësirën ajrore polake në shtator, udhëheqësit e NATO-s njoftuan masa të reja për forcimin e mbrojtjes ajrore në krahun lindor të aleancës.

Zyrtarët evropianë e kanë lidhur prej kohësh mbështetjen për Ukrainën me paralajmërime për rrezikun ndaj pjesës tjetër të kontinentit. Të premten, Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, paralajmëroi se “lufta e agresionit e Rusisë ka kaluar edhe një kufi tjetër.”

Mbledhje urgjente në Rumani pas sulmit të dronit rus! Thirret për sqarime ambasadori i Rusisë

Presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, ka thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit të Mbrojtjes pas rrëzimit të një droni rus mbi një pallat banimi. Për sqarime është thirrur edhe ambasadori rus në Bukuresht.

Presidenti rumun deklaroi se ngjarja kërkon një reagim të koordinuar në nivel kombëtar, ndërkombëtar dhe në kuadër të NATO-s. Ai theksoi se përgjegjësia e plotë për incidentin bie mbi Federatën Ruse.

Sipas tij, ngjarja është pasojë direkte e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe e përdorimit të pakujdesshëm të sistemeve ushtarake pranë kufijve të NATO-s.

Rumania njoftoi se ka informuar të gjithë aleatët e NATO-s dhe partnerët e Bashkimit Europian për incidentin. Gjithashtu, Bukureshti ka kërkuar vendosjen e kapaciteteve shtesë kundër dronëve në territorin rumun për të forcuar mbrojtjen në krahun lindor të aleancës.

Autoritetet rumune pritet të informojnë edhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së për atë që e cilësojnë si shkelje të përsëritur të ligjit ndërkombëtar nga Rusia.

Ndërkohë, edhe Franca ka thirrur për sqarime ambasadorin rus pas incidentit.

Droni rus goditi një pallat në qytetin lindor Galați, pranë kufirit me Ukrainën dhe Moldavinë. Shpërthimi shkaktoi zjarr në katin e dhjetë të ndërtesës.

Dy persona morën ndihmë mjekësore për plagë të lehta, ndërsa rreth 70 banorë u evakuuan gjatë operacionit të zjarrfikësve.

Kjo është hera e parë që qytetarë rumunë lëndohen nga një incident i lidhur me dronët rusë gjatë luftës në Ukrainë. Deri tani, Moska nuk ka reaguar zyrtarisht për ngjarjen.

Rumania e akuzon Rusinë për “përshkallëzim” pasi droni godet një ndërtesë banimi

Rumania e ka akuzuar Rusinë të premten për “përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm”, pasi një dron e goditi një ndërtesë shumëkatëshe banimi brenda Rumanisë, fare pranë kufirit me Ukrainën.

Droni hyri në hapësirën ajrore rumune gjatë sulmeve të natës kundër Ukrainës dhe u rrëzua mbi një ndërtesë banimi në Galați, një qytet në lumin Danub, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë të premten.

Sipas ministrisë, rrëzimi i dronit shkaktoi zjarr, duke nxitur reagim emergjent ku u përfshinë disa agjenci sigurie dhe shpëtimi.

Sipas zyrtarëve rumunë, kjo nxiti evakuim nga ndërtesa dhe të paktën dy njerëz pësuan lëndime të lehta.

“Ky incident përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse”, tha ministrja e Jashtme e Rumanisë, Toiu Oana, në një postim në X.

Rusia ende nuk ka komentuar lidhur me incidentin.

Ajo shtoi se Bukureshti i ka njoftuar shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), aleatët e NATO-s dhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe se ka “kërkuar masa për të përshpejtuar transferimin e kapaciteteve kundër dronëve në Rumani”.

“Federata Ruse mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këto veprime të rënda dhe të papërgjegjshme”, tha Oana.

Kongresisti amerikan Joe Wilson deklaroi se Rusia, “në mënyrë agresive dhe e paprovokuar”, e ka sulmuar Rumaninë, duke thënë se “familjet që flenë në shtëpitë e tyre janë caku” dhe se “parandalimi është e vetmja mënyrë për t’i ndalur veprimet e çoroditura të Rusisë.”

NATO-ja e dënoi atë që e quajti “pakujdesia e Rusisë”, tha zëdhënësja e aleancës, Allison Hart, në një postim në X.

Ajo tha se shefi i NATO-s, Mark Rutte, është në kontakt me autoritetet rumune, duke shtuar se “NATO-ja do të vazhdojë ta forcojë mbrojtjen tonë kundër të gjitha kërcënimeve, përfshirë kundër dronëve”.

Rumania, anëtare e NATO-s dhe BE-së që ndan një kufi prej 650 kilometrash me Ukrainën, ka regjistruar 28 depërtime të dronëve rusë në hapësirën e saj ajrore qëkurse Moska i filloi sulmet ndaj porteve ukrainase përgjatë lumit Danub gjatë pushtimit të plotë të Ukrainës, që e nisi në shkurt të vitit 2022.

“Lufta agresive e Rusisë ka kaluar edhe një kufi tjetër”, shkroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në X.

“Inkursioni i një droni rus goditi një zonë me dendësi të lartë popullsie në Rumani, duke plagosur civilë. Në territorin e BE-së”, tha ajo.

“Ne do të vazhdojmë të rrisim trysninë ndaj Rusisë. Po e përgatisim paketën e 21-të të sanksioneve”, tregoi ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat