Katër diplomatë të Ambasadës së Iranit në Bosnjë e Hercegovinë janë shpallur persona të padëshiruar dhe janë larguar nga vendi, mëson Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL).
Bëhet fjalë për Hossein Mahdian-Fard, Ehsan Sajjadi Monnazzeh, Morteza Fazali dhe Seyed Yaser Seyed Mohammadi, të cilët u larguan nga Bosnja e Hercegovina në nëntor 2026 dhe të cilët dyshohet se kanë lidhje me aktiviteteve të inteligjencës në favor të Teheranit.
Në listën diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjës e Hercegovinës për muajin nëntor, Hossein Mahdian Fard figuron si këshilltar i tretë i Ambasadës së Iranit, ndërsa Ehsan Sajjadi Monazzah dhe Morteza Fazali figurojnë si atashe.
Seyed Yaser Seyed Mohammadi nuk figuron në listat diplomatike nga tetori 2025 deri në nëntor 2026.
Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës, e cila është përgjegjëse për vendimet lidhur me dëbimin e personelit diplomatik, i tha REL-it se nuk mund të komentojë për rastin, pasi “bëhet fjalë për çështje të sigurisë, e jo diplomatike”.
Arsyet për të cilat katër diplomatët u detyruan të largoheshin nga Bosnja e Hercegovina ende nuk janë bërë zyrtarisht publike.
REL-i kërkoi koment nga zëvendësministri i Sigurisë i Bosnjës e Hercegovinës, Ivica Boshnjak, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e artikullit.
Pyetje iu dërgua edhe ambasadorit të Iranit në Bosnjë e Hercegovinë, Abuzar Ebrahimit Torkamanu, i cili gjithashtu nuk u përgjigj.
Më herët u dëbuan edhe drejtuesit e institutit iranian Ibn Sina në Sarajevë
Më herët, gjatë shtatorit ose tetorit, Mohammad Hossein Abbasi Valadi dhe Jafar Azimzadeh, ish-drejtues të Institutit Shkencor-Hulumtues iranian Ibn Sina në Sarajevë, u shpallën kërcënim për sigurinë e Bosnjës e Hercegovinës, mëson REL-i.
Ata nuk kishin status diplomatik në Bosnje e Hercegovinë.
Vendimin e mori Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila njoftoi Shërbimin për Çështjet e të Huajve të shtetit.
Në kohën kur u mor vendimi, të dy ndodheshin jashtë Bosnjës. Arsyet për të cilat u cilësuan si kërcënim për sigurinë e shtetit nuk dihen.
Instituti Ibn Sina nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it lidhur me Abbasi dhe Azimzadeh deri në publikimin e këtij artikulli.
Instituti Shkencor-Hulumtues Ibn Sina u themelua në Sarajevë në vitin 1996 si organizatë joqeveritare, me qëllim të “zhvillimit të bashkëpunimit shkencor, hulumtues dhe kulturor ndërmjet Iranit dhe vendeve të Ballkanit, veçanërisht Bosnjës dhe Hercegovinës”, thuhet në faqen e tij të internetit.
Irani dhe rastet e mëparshme të dëbimit nga Bosnja
Bosnje dhe Hercegovina edhe më herët ka shpallur diplomatë iranianë si persona të padëshiruar.
Në maj të vitit 2013, Hamzeh Doolab Ahmad dhe Jadidi Sohrab u larguan nga Bosnja pasi u shpallën persona të padëshiruar.
Në prill të vitit 2013, ministri i atëhershëm i Sigurisë, Fahrudin Radonçiq, njoftoi se do të kërkonte largimin e dy diplomatëve të Ambasadës iraniane në Sarajevë, duke thënë se ata nuk i respektonin rregullat diplomatike.
Në njoftim thuhej se vendimin e kishte marrë Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje e Hercegovinës, me propozim të Ministrisë së Sigurisë. Si arsye u përmend se diplomatët kishin përdorur statusin e tyre për aktivitete që nuk ishin në përputhje me detyrat e misionit diplomatik dhe me nenin 41 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.
Radonçiq kishte deklaruar më herët se Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Bosnje e Hercegovinës (OSA) kishte evidentuar aktivitete të palejuara të dy diplomatëve. Arsyet e sakta për shpalljen e tyre persona të padëshiruar nuk u bënë publike.
Aktivitetet kulturore dhe mediatike të Iranit në Bosnje
Irani ishte një nga aleatët e Bosnje e Hercegovinës gjatë luftës së viteve 1992-1995, duke i ofruar Ushtrisë së Bosnje e Hercegovinës ndihmë financiare, humanitare dhe ushtarake, përfshirë dërgesa armësh.
Pas luftës dhe nën presionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhjet politike dhe të sigurisë të Sarajevës me Teheranin u dobësuan, ndërsa bashkëpunimi vazhdoi kryesisht përmes qendrave kulturore dhe institucioneve shkencore.
Aktivitetet publike të pranisë diplomatike iraniane në Bosnje lidhen kryesisht me programet kulturore dhe arsimore që organizon Qendra Kulturore e Ambasadës së Iranit, e hapur në vitin 1994.
Qendra organizon ekspozita, promovime librash, ligjërata, programe filmash dhe kurse të gjuhës perse, shpesh në bashkëpunim me institucione vendore.
Përfaqësues të Ambasadës së Iranit marrin pjesë po ashtu në pritje zyrtare dhe ngjarje publike në Sarajevë.
Në Bosnje vepron edhe përfaqësia e shërbimit mediatik shtetëror iranian IRIB, televizioni Sahar Balkan i të cilit prodhon përmbajtje në gjuhën boshnjake që nga viti 1995.
REL-i ka hulumtuar më herët mënyrën se si ky medium përpiqet të përhapë narrativët e autoriteteve iraniane në redaksitë vendore, përfshirë dërgimin e njoftimeve dhe videove për ngjarjet politike në Iran.
Kur mund të shpallet një diplomat person i padëshiruar në Bosnje?
Rregullorja e miratuar nga Presidenca e Bosnje e Hercegovinës në vitin 2004 parashikon mundësinë e shpalljes së diplomatëve të huaj persona të padëshiruar në rastet e shkeljeve të rënda të rregullave të shtetit pritës ose të sjelljeve që nuk janë në përputhje me funksionet e misionit diplomatik.
Ndër arsyet e përcaktuara në rregullore janë ndërhyrja në punët e brendshme të Bosnjës dhe aktivitetet e inteligjencës, përfshirë spiunazhin.
Nismën për shpalljen e një diplomati person të padëshiruar mund ta ndërmarrë edhe Ministria e Sigurisë e Bosnjës, e cila ia përcjell propozimin institucioneve kompetente.
Vendimin për shpalljen e shefave të misioneve diplomatike e merr Presidenca e Bosnje e Hercegovinës, me propozim të arsyetuar të ministrit të Punëve të Jashtme, ndërsa për anëtarët e tjerë të personelit diplomatik vendos ministri i Punëve të Jashtme i shtetit. / REL