Erdogan: Turqia dhe Greqia potencial të konsiderueshëm bashkëpunimi

Evropë

Erdogan: Turqia dhe Greqia potencial të konsiderueshëm bashkëpunimi

Më: 29 nëntor 2026 Në ora: 10:59
Konstantinos Tasoulas, Recep Tayyip Erdogan

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi se Turqia dhe Greqia kanë potencial të konsiderueshëm për bashkëpunim në të gjitha fushat, duke theksuar përpjekjet e Ankarasë për të avancuar agjendën pozitive mes dy vendeve, raporton Atsh.

Erdogan u takua dje me homologun e tij grek, Konstantinos Tasoulas, në Zyrën Presidenciale të Dolmabahçes në Stamboll, ku të dy liderët kanë diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, sipas Drejtorisë së Komunikimeve të Turqisë.

Gjatë takimit, Erdogan ka theksuar rëndësinë e trajtimit të çështjeve të pakicave, të cilat janë pjesë e trashëgimisë së përbashkët të dy vendeve, kryesisht nga këndvështrimi humanitar.

Ai ka thënë se Turqia dëshiron që Greqia t’i përgjigjet me të njëjtën qasje konstruktive ndaj çështjeve të pakicave, duke shtuar se një qëndrim i tillë do të kontribuonte në ecurinë pozitive të marrëdhënieve dypalëshe.

”Erdogan gjithashtu ka theksuar se Turqia nuk ka asnjë hezitim që Egjeun ta shndërrojë në një det të paqes, duke thënë se deti Egje dhe Mesdheu Lindor duhet të bëhen rajone të stabilitetit dhe prosperitetit”, sipas Drejtorisë.

Takimi me dyer të mbyllura zgjati rreth 35 minuta.

Në takim morën pjesë gjithashtu ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, drejtori i Komunikimeve i Presidencës Burhanettin Duran dhe këshilltari kryesor presidencial për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Akif Çagatay Kiliç.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat