1 Maji në Gjermani - Protestë dhe festë

Evropë

1 Maji në Gjermani - Protestë dhe festë

Më: 1 maj 2017 Në ora: 09:24
Gjermani

Më 1 Maj, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve fokusi vendoset tek tema e drejtësisë sociale. Këtë vit Shoqata e Sindikatave Gjermane ka bërë thirrje për manifestimin e saj qendror në Gelsenkirchen, nën moton „Ne jemi 1. Ne jemi shumë." Ndërkohë Sindikata e policisë ka paralajmëruar nga trazira gjatë protestave tradicionale të 1 Majit në Gjermani. Këtë vit priten më shumë pjesëmarrës në demonstrata, sepse tema si rritja e qirave, frika nga populizmi djathtist, dhe samiti i G20-s në Hamburg shqetësojnë shumë vetë.

Image

Nata e Shtrigave

Por nëse në disa qytete protestohet, në disa rajone gjermane 1 Maji është nata kur, shtriga dhe djalli kërcejnë, dhe ku festohet deri në orët e para të mëngjesit. Nata e Valburgës, ose ndryshe Nata e Shtrigave është një traditë e vjetër nga viti 1896, që në Lindjen gjermane festohet me ndezjen e zjarreve. Qindra zjarre të shtrigave shihen si sinjale përshëndetëse të pranverës.

Pemët e zbukuruara në rajonin e Rinit

Ndërsa përgjatë Rinit në rajone të ndryshme ngrihen pemët e 1 Majit. Djem të rinj vendosin tek shtëpia e të dashurës së tyre një dru mështekne të zbukuruar me zemra e letra me ngjyra. Një traditë që gjithnjë e më shumë po u lihet në dorë firmave të specializuara. „Taksitë" e pemëve të 1 Majit ofrojnë mështekna të zbukuruara sipas dëshirës.

Image

Protesta në Berlin

Në kryeqytetin gjerman, Berlin, 1 Maji ka vite që festohet ndryshe. Nga viti 1987, pra para 30 vjetësh në Kreuzberg, në një lagje të Berlinit është krijuar tradita e protestave dhe demonstratave, nganjëherë të dhunshme, që drejtohen kundër kapitalizmit, racizmit dhe izolimit social. Në tre vitet e fundit aksionet e protestës kanë qenë më paqësore se më parë. 10.000 njerëz u janë bashkuar këtyre protestave në këto vite./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat