Zgjedhjet në Gjermani, triumfon kancelarja Merkel

Evropë

Zgjedhjet në Gjermani, triumfon kancelarja Merkel

Më: 24 shtator 2017 Në ora: 11:34
Angela Merkel

(E plotësuar) - Partia Demokristiane ka shpresuar për rezultate më të mira, por ka përmbushur synimet e saja strategjike, deklaroi kancelarja gjermane Angela Merkel.

Përveç kësaj, ajo premtoi se do të dëgjojë të gjitha shqetësimet e votuesve të partisë ekstreme djathtiste AfD në Gjermani.

Sipas vlerësimeve të para, demokristianët e Merkel fituan mbi 32.5 për qind të votave në zgjedhjet e sotme. E dyta renditen SDP me mbi 20 për qind, derisa e treta është Alternativa për Gjermaninë AfD me mbi 13 për qind.

“Kemi shpresuar për rezultate më të mira, por nuk duhet të harrojmë se kemi përmbushur synimet tona strategjike – jemi partia më e fuqishme, kemi mandatin që të formojnë qeverinë e re dhe këtë edhe do ta bëjmë”, deklaroi Merkel.

Asgjë e re nga Gjermania. Angela Merkel mbetet kancelare. Në të kundërt mbetet e hapur çështja e koalicionit. Kësaj here me FDP dhe Të Gjelbrit? Sidoqoftë atë e presin detyra të mëdha.

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare është një konfirmim për kancelaren. Me 33,2 përqind unioni konservator CDU humbet rreth 5 përqind krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013, megjithatë në Bundestagun e ri këtej e tutje do të jenë të përfaqësuara gjashtë në vend të pesë partive si deri më sot. Konkurrenca politike është bërë më e fortë, sepse partia Alternativa për Gjermaninë, AfD me 13,2% hyn si forca e tretë në parlament. Socialdemokratët kanë marrë deri tani 20,8%, Liberal Demokratët, FDP 10,1%, partia E Majta 8.9%, Të Gjelbrit 9,3% dhe të tjerat 4,5%, nuk arrijnë të përfaqësohen në parlament. Pragu i përfaqësimit parlamentar në Gjermani është 5%. Këto rezultate janë një sfidë e re për Angela Merkelin.

Një koalicion i mundshëm premierë 

Një tërmet politik në këto zgjedhje u shmang. Vota aktualisht për AfD pritej, humbja e mëtejshme e socialdemokratëve pritej gjithashtu. Me rikthimin e liberalëve në parlament për Angela Merkelin ka dy mundësi koalicionesh: një vazhdim i koalicionit me bazë të gjerë me socialdemokratët nuk ka gjasa. Partisë socialdemokrate nuk i përshtat roli i më të voglit, ndaj ajo nund të preferojë të rigjenerohet duke dalë në opozitë. Kësisoj mbetet si një variant serioz i formimit të qeverisë një koalicion prej tre partish mes unionit CDU/CSU, Liberalëve (FDP) dhe Aleancës së ekologjistëve, Të Gjelbrit. Ky është një terren i ri politik, ndaj bisedimet e koaliconit mund të zgjasin shumë.

Por ajo që mbetet është pohimi, se nuk do të jetë eksperimente. Gjermania mbetet pas këtyre zgjedhjeve ajo që është, një zonë e qetë politike, shoqërore dhe ekonomike. Tension ka diku tjetër; në Turqinë e Erdoganit, në SHBA-në e Trumpit, në Rusinë e Putinit dhe në Britaninë e Madhë të dalë nga BE-ja. Frika nga terrori dhe populizmi kanë efekt. Megjithatë në Gjermani vazhdon të mbizotëroje qetësia. Zgjedhjet parlamentare janë efektin pothuajse të një testi psikologjik të shëndetit.

Mandati i katërt i Merkelit

E tashmë përsëri katër vjet Merkel - nëse ajo do të rezistojë. Sidoqoftë protestantja e kontrolluar konsiderohet si njeri i përgjegjshëm, atë që ajo enis e çon deri në fund. Por si e bën këtë?

Si gruaja e parë në këtë post dhe si një kancelare për një kohë të gjatë ajo është tani një rast për të hyrë në librat e historisë. Por sidoqoftë që të lerë diçka që mbetet pas, asaj i mungon ende një coup i madh politik. Adenaueri integroi republikën e vjetër në Perëndim, Brandti krijoi me politikën e tij për Lindjen një afrim në kohën e Luftës së Ftohtë, Kohl prganizoi ribashkimin, Schröder e reformoi shtetin social. Çfarë i mbetet Merkelit? 

Për të gjithë befasuese ishte hapja prej saj e kufijve në vitin 2015 për më shumë se një milion refugjatë. Mes përzierjes së ndjenjave humanizëm dhe indinjatë, ajo iu përmbajt kursit të saj. Ajo iu kundërvu pranimit të një kursi për përcaktimin e kuotës maksimale të pranimit të refugjatëve dhe për këtë iu referua kushtetutës pikë më pikë, që nuk parashikon limit për ligjin e azilit. Tani asaj i duhet të organizojë sfidën. Të integrojë ata që janë pranuar në Gjermani dhe të dëbojë nga Gjermania refugjatët "e gabuar". Një projekt politikë që kërkon një kohë të gjatë.

Më e mira në fund?

Një kantier tjetër është edhe BE-ja. Brenda familjes europiane ka disbalancë. Fëmija historik i njerkës, Britania e Madhe tani do ta rigjejë veten e vetme në botën e globalizuar, dalja e saj duhet të rregullohet. Vetëm kjo është një detyrë gjigante për Merkelin. Por edhe vendet jugore të BE-së po ndërgjegjësohen dhe nuk duan ta pranojnë më gjatë diktatin gjerman të kursimeve. Merkel konsiderohet si mbrojtëse e idesë europiane, por vendet në borxhe ndihen nën presion nga Gjermania e fortë. Ajo do, që ta mbajë të bashkuar BE-në. Nëse nuk ia del kësaj do të ngrihet sërish zëri për shtetin nacional.

Por edhe tendenca për etjen e Gjermanisë për të qenë një fuqi e madhe rëndon mbi supet e Merkelit. Jo vetëm Trumpi do ta bëjë sërish të fortë Amerikën e tij, edhe Putini e Erdogani synojnë një politikë të dorës së fortë. Ka kohë që ajo konsiderohet si "Anti-Trump". Ajo mund t'u bëjë ballë provokimeve pa lëshuar pe. Gjithmonë e kursyer në gjeste, mimikë dhe në përzgjedhjen e fjalëve. Atë nuk e nënvleftësojnë më. Dikur ka qenë ndryshe.

Me pragmatizmin e saj ajo është pa diskutim e suksesshme. Ajo neutralizon opozitën. Vetëm se ndonjëherë CDU-ja nuk e di më se çfarë ka mbetur konservatore tek ajo. Sidoqoftë për partinë, që gjithmonë ka synuar pushtetin në radhë të parë, pyetja për humbjen e profilit të unionit është vetëm me karakter akademik.

Detyra e saj tani është të jetë: "Anti-Trump"

Triumfi i saj i ri në zgjedhje bazohet në radhë të parë tek besimi. Kështu ishte edhe në zgjedhjet e vitit 2013. Mjaftoi një fjali për të bërë reklamë për veten: "Ju më njhni mua", tha ajo atëherë. Po kaq presidial është edhe stili i saj politik. Atë e respektojnë anë e mbanë. Madje edhe të rinjtë e vlerësojnë shumë atë. Pikërisht në radhët e 25 vjeçarëve as që mund të kujtohet ndonjeri për kohën pa Merkelin në kancelari.  

Megjithatë në artin e saj të oratorisë deri më sot ajo nuk ia ka dalë të jetë më mirë se mesatarja. Me duart e saj përpara torsit ajo ka krijuar një ikonografi klasike moderne. Është minimalizmi më radikal në politikë dhe ky është tipari dallues i saj. Ruajtja e qetësisë. Një as çuditërisht i rrallë, me të cilin ajo tani duhet të luftojë që t'ia dalë ose të largohet si kancelarja e plotësuar ose e paplotësuar nga skena politike.

New York Times e ka vlerësuar atë si "mbrojtësja e fundit e Europës". Kaq shumë lavdërim e mirënjohje këtej e tutje do të kthehen në detyrim. Ajo për një kohë të gjatë e pati lënë të hapur, nëse do të rikandidonte ose jo për herë të lartërt. Zgjedhja e Donald Trumpit më 9 nëntor 2016 ishte këmbana, thuhet nga radhët e saj. Përderisa ajo, sipas fjalëve të veta, asnjëherë nuk ka dashur ta mbyllë karrierën si "një gërmadhë gjysmë e vdekur", ajo ka besim ta përballojë edhe një mandat të katërt si nga shëndeti edhe politikisht. Votën e zgjedhësve ajo tashmë e ka. Tani i duhet të ofrojë rezultate.

Image

Zgjedhjet në Gjermani, triumfon kancelarja Merkel

Angela Merkel është në rrugën e mandatit të katërt si kancelare, por ajo ka nevojë për partner koalicioni. Rezultatet e para tregojnë se CDU nuk e mori rezultatin e pritur. Edhe socialdemokratët pësojnë rënie.

Sipas informacioneve të Infratest-Dimap, rezultatet e para të partive politike kryesore gjermane në votimet për zgjedhjet parlamentare 2017, tregojnë se CDU nuk e arriti rezultatin që priste. 26,6% e votave cilësohet rezultati i parë i partisë konservatore, bashkë me partinë CSU, 6%, unioni CDU/CSU arrin 32,6%%. Në sondazhet parazgjedhore unioni kryesonte me 37%, ndërkohë që krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve të kaluara parlamentare, ky rezultat është një goditje për CDU-në e kancelares Merkel.

Ndërkohë që duket se partia socialdemokrate arrin rezultatet që i parathonin edhe sondazhet, rezultate jo optimiste për këtë parti. Partia Socialdemokrate kap vetëm 20,5%, pra një rënie 5% krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013. Ndërkohë që me 13% të votave, partia e tretë në Bundestag do të jetë partia djathtiste, Alternativa për Gjermaninë, e konsideruar si parti e protestës që shfrytëzon frikën e gjermanëve nga refugjatët dhe globalizmi. Nënkryetarja e kësaj partie, Manuela Schwesig u shpreh për ZDF, se SPD-ja do të kalojë në opozitë.

Parti që mund të quhet fituese e këtyre zgjedhjeve është partia liberale, FDP, një parti që nuk ishte prezente në Bundestagun e kaluar, sepse nuk e kapi kuotën e 5%, pro që hyn sërish me një rezultat optimist, 10,5%.

E Majta kap vetëm 8,9% të votave ndërkohë që të Gjelbrit arrijnë një përmirësim të lehtë me 9,4%, krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve të kaluara, 8,5%.

Interesante mbetet çështja e koalicioneve në Gjermani. Në një kohë që në bazën socialdemokrate është rritur mospëlqimi për një koalicion me bazë të gjerë, një mundësi tjetër e diskutuar është koalicioni i Unionit me Të Gjelbrit dhe Liberalët.

Image

Merkel për një mandat të katërt, e djathta në vështirësi synon avancim 

Gjermanët u mobilizuan sot për zgjedhjet legjislative, që përveç të papriturave pritet t’i japin Angela Merkel një mandat të katërt, por gjithashtu të shënojnë dhe një avancim me pasoja të paparashikueshme për të djathtën nacionaliste.

Drejtuesja konservatore votoi pak para orës lokale 15:00 (13:00 GMT) e shoqëruar nga bashkëshorti i saj JoachimSauer, pasi bëri në këmbë rrugën nga apartamenti i saj në qendër të Berlinit.

Rreth 61,5 milionë zgjedhës të shpërndarë në 299 zona elektorale do të votojnë deri në orën lokale 18:00 (16:00 GMT) për të zgjedhur deputetët e tyre, sipas një sistemi votimi që bashkon parimet mazhoritare dhe proporcionale.

Pjesëmarrja në orën 14:00, i vetmi vlerësim kombëtar gjatë ditës, ishte 41,1 për qind, pothuajse i qëndrueshëm në raport me 41,4 për qind në 2013.

Në vitin 2013, 71,5 për qind e zgjedhësve morën pjesë në votime.

Që prej përfundimitt të votimit, sondazhet do të japin një tregues të qartë për fituesit e Bundestagut të ardhshëm.

Kreu i socialdemokratëve të SPD, ish-presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz votoi në mëngjes. Por është parë që ai është lënë pas nga kampi konservator CDU-CSU i Angela Merkel me 34-36 për qind kundër 21-22 për qind për SPD-në.

Image

Voton edhe Merkel

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka hedhur votën e saj në zgjedhjet parlamentare ku është favorite për të fituar mandatin e saj të radhës, njofton Klan Kosova.

Liderja e Unionit Kristian Demokratik, ka votuar në një vendvotim në Berlin.

Ajo garën më të fortë pritet ta ketë me liderin e Social Demokratëve, Martin Schulz.

Në këto zgjedhje në Gjermani të drejtë vote kanë 61 milionë persona.

Gjermani: Dalja e votuesve, më e mirë se në zgjedhjet e mëparshme

Dalja e votuesve në zgjedhjet parlamentare në Gjermani, sipas vlerësimeve të para, është më e lartë se në zgjedhjet e vitit 2013, transmetojnë mediat gjermane.

Deri në mesditë, dalja e votuesve në Munih ishte rreth 57 për qind, në Hamburg 37 për qind, ose dy për qind më shumë se në vitin 2013,  në Nurnberg kanë votuar 29.6 për qind, derisa në zgjedhjet e kaluara kishin votuar 26.4 për qind.

Të dhënat e para të përgjithshme të votimit priten të publikohen para orës 16:00.

Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, ka hedhur votën e tij për zgjedhjet nacionale në Gjermani në një vendvotim në Berli.

Sipas komisionit zgjedhor mbi 61 milionë veta kanë të drejtë vote në këto zgjedhje.

Pretendentët kryesorë për të fituar janë CDU-ja e Angela Merkel dhe PSD e Martin Schulz.

Voton Schulz

Kreu i Partisë Social Demokrate Martin Schulz, është parë bashkë me gruan e tij Inge, në Wuerselen të Gjermanisë ku ka hedhur votën e tij me rastin e zgjedhjeve për përbërjen e parlamentit të ri.

Sipas komisionerit të zgjedhjeve më shumë se 61 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet për një parlament të ri federal, Bundestag, në Gjermani.

Image
Schulz me gruan e tij

***

Luftë deri në minutën e fundit: Deri të shtunën në mbrëmje, partitë dhe kandidatët e tyre luftuan për programet e tyre në Gjermani. Kancelarja Angela Merkel dhe kryetarja e CDU-së në zonën e saj zgjedhore pranë Detit Balltik, rivali i saj socialdemokrat, Martin Schulz në vendlindjen e tij në Würselen, Aachen. Edhe liberalët, (FDP), të Majtët dhe të Gjelbrit si edhe partia e djathtë „Alternativa për Gjermaninë", AfD qarkulluan në të gjithë republikën federale për të fituar vota sidomos tek të pavendosurit.

Steinmeier bën thirrje për të votuar

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier iu drejtua me një apel qytetarëve të shkojnë të votojnë. „E drejta e votës është e drejtë qytetare", shkroi Steinmeier në gazetën gjermane „Bild am Sonntag". Kush nuk shkon të votojë, lejon „që të tjerët të vendosin për fatin e vendit tonë", tha Steinmeier.

61 milionë gjermane janë thirrur të votojnë për Bundestagun e 19-të. 400.000 qytetarë më pak se në zgjedhjet e shkuara 2013.

Mesatarisht votuesi gjerman është 52 vjeç e me këtë moshë më i madh se kurrë më parë. Një e treta e votuesve madje është më e moshuar se 60 vjeç.

Fletëvotimet më të gjata

42 parti dalin kësaj here në votimet gjermane, në vitin 2013 ishin 34. Qendrat e votimit janë të hapura nga ora 08:00 në 299 zona zgjedhore dhe mbyllen në orën 18:00. Rreth 650.000 vullnetarë zgjedhorë kujdesen që të mos ketë probleme gjatë votimit.  Vota është e fshehtë, e çdo qytetar shkon i vetëm në kabinën e votimit. Kësaj here në ligjin zgjedhor është shtuar ndalimi i fotografimit në kabinë, pra asnjë selfie. Kush e publikon një foto të tillë penalizohet.

Gara për vendin e tretë

Shumica e politikanëve e presin rezultatin në Berlin. Sondazhet japin gjithmonë një orientim për rezultatin zgjedhor, por surprizat nuk përjashtohen. Shumë votues e marrin vendimin në kabinën e votimit për partinë apo kandidatin që duan. Interesante kësaj here është se cila parti do të renditet e treta. Të Gjelbrit, Liberalët, Të Majtët por edhe partia populiste, AfD shpresojnë që të dalin të tretët në këto votime. Por pavarësisht nga rezultati i AfD-së, Mbrojtja Kushtetuese në Gjermani do të ndjekë me vëmendje këtë parti. Ministri i Brendshëm gjerman,Thomas de Maizière u shpreh, se në të tërësinë e saj kjo parti nuk është ekstremiste, por Mbrojtja Kushtetuese kontrollon, „nëse ekstremistët e djathtë e marrin në dorë këtë parti."/dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat