Bilanc i gjendjes së jashtëzakonshme në Turqi - Bota Sot
Bilanc i gjendjes së jashtëzakonshme në Turqi

Evropë

E hënë, 15 tetor 2018

Bilanc i gjendjes së jashtëzakonshme në Turqi

Më: 18 korrik 2018 Në ora: 10:28
Turqi

Dy vjet zgjati gjendja e jashtëzakonshme në Turqi. Pas përpjekjes për puç në korrik 2016, presidenti Erdogan ka goditur ashpër. Tani hiqet gjendja e jashtëzakonshme. A do bëhet gjithçka më mirë? Bilanci është ky:

Pse është vendosur gjendja e jashtëzakonshme në Turqi?

Mbas përpjekjeve për puç më 15 korrik 2016 qeveria turke deklaroi se përgjegjës  janë anëtarë të Lëvizjes Gülen, që ndodhen në radhët e ushtrisë. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e quajti organizatë terroriste Lëvizjen Gülen dhe vendosi gjendjen e jashtëzakonshme për tre muaj, në mënyrë që të luftonte në mënyrë aktive kundër saj. Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme qeveria mori të drejtën të reagonte pa dekrete. Kështu në institucionet shtetëtore u vendosën rregulla të reja.

Image

Puçi ushtarak, 15.07.2015, njerëzit mblidhen në urën e Bosforit

Për shkak të shkarkimeve masive nga puna në shërbimet publike dhe arrestimet e shumta, opozita e quajti gjendjen e jashtëzakonshme si „puç civil dhe persekutim kundër kritikëve të qeverisë" dhe kërkoi heqjen e menjëhershme të gjendjes së jashtëzakonshme, por pa sukses. Gjendja e jashtëzakonshme u shty shtatë herë gjithsej.

Sa vetë janë arrestuar?

Gjatë gjendjes së jashtëzakonshe u lëshuan gjithsej 32 dekrete. Sipas të dhënave zyrtare në pyetje u morrën 160 mijë vetë dhe më shumë se 70 mijë vetë u arrestuan, mes tyre edhe gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe politikanë të opozitës. Kundër 155 mijë vetëve u zhvilluan hetime për „anëtarësim në një organizatë terroriste".

Me dekretet e gjendjes së jashtëzakonshme koha e mbajtjes në arrest u zgjat në 30 ditë. Kjo praktikë u përdor deri në fund të 2016. Vetëm pas një paralajmërimi nga Këshilli i Evropës, në fillim të vitit 2017, koha e mbajtjes në arrest u zvogëlua në 14 ditë.

Image

Sa vetë u shkarkuan nga puna?

Gjatë dy vjetëve që zgjati gjendja e jashtëzakonshme u shkarkuan nga puna në shërbimin publik 121 131 vetë. Rreth 7 mijë vetë u shkarkuan nga universitetet, 5700 prej tyre nga forcat akademike. Po ashtu u mbyllën shkolla dhe qendra arsimore, për të cilat dyshohej se kishin lidhje me lëvizjen Gülen.

Të drejtat e zgjeruara nuk u përdorën vetëm kundër idhtarëve të Lëvizjes Gülen, por u përdorën edhe kundër forcave opozitare. Kështu për shembull në territoret kurde rreth 100 kryetarë bashkish u zëvendësuan nga administratorë të detyrueshëm dhe shumë politikanë kurdë u arrestuan. Organizata ndërkombëtare si OKB ose Këshilli i Evropës kanë kritikuar qeverinë turke për këtë dhe kanë folur për një „zhvillim alarmant".

Si ka qenë puna me lirinë e shtypit?

Me dekretet e gjendjes së jashtëzakonshme u mbyllën 70 gazeta dhe 20 revista si dhe 34 stacione radioje, po ashtu si 30 shtëpi botimi dhe 33 stacione televizive. Hetimet kundër përfaqësuesve të mediave dhe arrestimet e gazetarëve për „propagandë në ndihmë të terrorizmit" ose "ofendimin e presidentit të shtetit" janë parë nga organizatat si në Turqi ashtu edhe jashtë saj.

Sipas të dhënave të sindikatës së gazetarëve në Turqi ndodhen 143 gazetarë në burg. Organizata "Reporterët pa kufi" ka tërhequr vëmendjen se me masat represive gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme, shtypi u bë gjithnjë e më shumë njësoj. Në vitin 2010 Turqia ndodhej në vendin 138 në vlerësimin ndërkombëtar të vendeve për lirinë e shtypit. Ndërkohë Turqia ka përfunduar në vendin e 157.

Çfarë ndodh pas heqjes së gjendjes së jashëzakonshme?

Gjendja e jashtëzakonshme hiqet, por presidenti Erdogan do vazhdojë të qeverisë me dekrete. Sepse në sistemin e ri presidencial ai ka të drejtën që të rregullojë me dekrete presidenciale disa fusha. Siç është bërë deri tani me dekretet e gjendjes së jashtëzakonshme, edhe dekretet presidenciale kanë të drejtën si një ligj dhe madje me efekt të menjëhershëm.

Përveç kësaj qeveria ka ashpërsuar ligjin kundër terrorizmit. Projektligji për ligjin e ri parashikon që guvernatorët të kenë të drejtë të kufizojnë hyrjen dhe daljen në qytete për 15 ditë dhe po ashtu të drejtën që të ndalojnë grumbullimet. Për grumbullimet dhe protestat ligji parashikon që "ato nuk duhet të vështirësojnë jetën e përditshme.” Edhe për të dyshuarit për terrorizëm ekzistojnë rregulla të reja. Pasaportat e personave kundër të cilëve zhvillohen hetime për terrorizëm mund të konfiskohen për tre vjet. Ligjet e reja kritikohen sepse faktikisht ato vendosin një lloj gjendje të jashtëzakonshme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test