Gerhard Schröder “Armik i shtetit”? Një webfaqe ukrainase diskrediton qëllimisht njerëzit e famshëm

Evropë

Gerhard Schröder “Armik i shtetit”? Një webfaqe ukrainase diskrediton qëllimisht njerëzit e famshëm

Më: 18 nëntor 2018 Në ora: 11:07
Gerhard Schröder

Faqja e përfolur e internetit në Ukrainë, "Mirotworez" e vendos ish-kancelarin gjerman, Gerhard Schröder në listën e "Armiqve të shtetit". Shqetësimi është i madh jo vetëm për shkak të ish-kancelarit.

Gerhard Schröder, ish-kancelar socialdemokrat dhe kryetar i bordit të kompanisë ruse të naftës "Rosneft", ka bërë "propagandë anti-ukrainase" dhe është përpjekur të justifikojë "agresionin rus kundër Ukrainës". Si dëshmi për këtë shërbejnë disa linqe të artikujve në mediat ruse. Faqja ukrainase e internetit, mjaft e përfolur, "MirotWorez"‚ (Paqebërësi) ka arritur që me këtë pjesë të të dhënave të tyre të arrijë deri në mediat gjermane dhe kjo ka shkaktuar një reagim të Ministrisë së Jashtme Gjermane. ‘Këtë listë në tërësi' e dënojmë ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme gjermane të mërkurën në Berlin. "Ne palës së Ukrainës u kemi bërë të qartë qëndrimin tonë edhe në të kaluarën dhe kemi insistuar që pala ukrainase të punojë drejt fshirjes së kësaj faqeje interneti." Dhe pikërisht këtë do ta bëjë përsëri tani qeveria federale.

Në një listë me Waters dhe Alexijewitsch

Nëse qëllimi i këtij aksioni është një provokim, atëherë media ukrainase ka goditur në shenjë me përpjekje minimale dhe jo për të parën herë. Në muajt e kaluar Mirotworez në vazhdimësi ka tërhequr vëmendjen me emra të shquar, veçanërisht në Rusi. Në listën e ‚Armiqve të shtetit‘ gjendet edhe emri i ministrit të Jashtëm hungarez, Peter Szijjárto, i cili ndër të tjera e ka kritikuar Ukrainën për ashpërsimin e ligjeve të reja të gjuhës.

Udhëheqësi i kishës ortodokse ukrainase në patriarkanën e Moskës, Metropolit Onufrij, është kategorizuar si ‚Agjent‘ i kishës ruse. Ndër emrat e rinj, të cilët janë shtuar në listë janë edhe britaniku Roger Waters, themelues i Pink-Floyd, i cili është futur në listë për shkak të deklaratave mbështetëse për aneksimin e Krimesë, si dhe bjellorusja fituese e çmimit Nobel për letërsi, Swetlana Alexijewitsch, e cila për shkak të ‚propagandës‘ dhe ‚kryengritjes‘ është futur në të ashtuquajturën ‚Lista e turpit‘.

Image
Screenshot Websajti myrotvorets

Prapavija të paqarta

Faqja e internetit Mirotworez u themelua në pranverën e vitit 2014, gjatë fazës fillestare të aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe luftës në Ukrainën lindore. Kjo faqe e quan veten "qendër" dhe dëshiron të "hetojë" krimet kundër sigurisë kombëtare të Ukrainës. Por jo vetëm këtë, ata dëshirojnë të marrin në mbrojtje edhe "sigurinë e njerëzimit" dhe "rendin juridik ndërkombëtar" siç thuhet në vetë-përshkrimin e tyre.

Edhe katër vite pas themelimit kjo faqe interneti duket amatore dhe konfuze. Me referencat e të dhënave kontaktuese të Inteligjencës së Brendshme ukrainase SBU faqja duket të jetë e respektueshme. Por, kundër kësaj përshtypje qëndron gjuha e përdorur ironike. Qëllimi i tyre i deklaruar është që për motive patriotike t'i ndihmojnë autoritetet ukrainase të sigurisë. E paqartë është se kush saktësisht qëndron mbrapa Mirotworez. Në fillim një këshilltar i Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte në kontakt me ta. Në faqen e internetit thuhet se "qendra" është një "organizatë e pavarur joqeveritare" e themeluar nga një grup shkencëtarësh, gazetarësh dhe ekspertësh. Por, prej disa kohësh ajo e quan veten si një ‘medium masiv'.

Ndërkombëtarisht nën presion

Në thelb Mirotworez vepron si një faqe e diskreditimit publik. Aty janë publikuar informacione personale, emra, adresa të njerëzve, të cilët vlerësohen si separatist prorusë, bashkëpunëtorë ose ‚agjentë të Kremlinit. Susan Stewart, eksperte për Ukrainën në Fondacionin e Shkencës dhe Politikës në Berlin (SWP), ka thënë për DW: "Në rrjedhën e rritjes së polarizimit në Ukrainë, forcat nacionaliste pëlqejnë të përdorin fjalën 'tradhti' në gojën e tyre. Kjo zhvillohet në bazë të motos: "Kush nuk është qartë pro Ukrainës është kundërshtari ynë". Për shkak të punës së tyre në vitin 2016 kjo faqe ishte kritikuar shumë. Në atë kohë, Mirotworez publikoi të dhëna nga gazetarët, të cilët kishin udhëtuar në zona separatiste dhe ishin regjistruar në autoritetet lokale. Ka pasur gjithashtu akuza serioze nga autoritetet ndërkombëtare, të cilët u ankuan se informacione të tilla do t‘i vinin gazetarët në rrezik. Në atë kohë, madje ky projekt u ndalua, por rifilloi punën përsëri pas një pushimi të shkurtër.

Image
Ministri i Jashtëm ukrainas, Pawlo Klimkin

Sipas informacioneve të studios në Kiev, korrespondenti i DW, Juri Rescheto ende qëndron në faqen e internetit të përmendur me komentin se ai "shkeli kufirin shtetëror të Ukrainës". Çfarë lihet të nënkuptohet me këtë, ndoshta është që Rescheto kishte fluturuar në vitin 2016 nga Moska në Krime, në vend që - siç duhet të jetë nga pikëpamja e Kievit - mbi Ukrainën.

Kritika e ministrit të Jashtëm ukrainas për Hungarinë

Së fundi edhe ministri i jashtëm i Ukrainës, Pawlo Klimkin, ka kritikuar këtë faqe. Arsyeja është se janë publikuar më shumë se 300 emra të përfaqësuesve të pakicës hungareze në Ukrainën perëndimore, të cilët kishin marrë pasaporta hungareze. Midis tyre duhet të ketë qenë zyrtarë. Incidenti ka shkaktuar tensione mes Kievit dhe Budapestit për muaj të tërë. Klimkin ka thënë se ishte kundër nxitjes së ndenjave kundër Hungarisë ose akuzës për separatizëm. Qeveria e Ukrainës ka kritikuar në mënyrë të përsëritur projektin Mirotworez, por ende po e lejon atë. Zyrtarisht thuhet se ata nuk ka asnjë ndikim, sepse serveri qëndron jashtë vendit./dw

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat