Një tjetër emër në fazën e mbrojtjes mund t’i bashkohet Barcelonës në afatin e janarit.
Katalanët kanë siguruar shërbimet e mbrojtësit kolumbian të Valencias, Jeison Murillo, i cili ka kaluar në ‘Camp Nou’ në formulën e huazimit, me të drejtë blerje në fund të sezonit.
Ndërhyrja në tregun e transferimeve është parë e domosdoshme nga skuadra e Barcelonës, pas lëndimeve të Samuel Umtitit dhe Thomas Vermaelen.
Jeison Murillo tashmë është zyrtarizuar si lojtar i Barcelonës, me kampionët e La Ligas që kanë të drejtën e blerjes në fund të sezonit.
Por, një tjetër emër që mund t’i bashkohet Barcelonës është edhe Rodrigo Caio.
Lajmi bëhet i ditur nga gazeta braziliane ‘Lance’, që thotë se Caio i ka bërë gati valixhet për të shkuar në Evropë, dhe më konkretisht te Barcelona.
Rodrigo Caio 25 vjeçar, është pjesë e Sao Paulo, dhe deri më tani ka zhvilluar 142 paraqitje për skuadrën braziliane.