Scaloni: Do të flas me Messin

Futboll

Scaloni: Do të flas me Messin

Më: 29 dhjetor 2018 Në ora: 16:15
Scaloni: Do të flas me Messin

Pasi u konfirmua si trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni ka filluar të mendojë që tani për të ardhmen e skuadrës së tij.

Në një intervistë për kanalin e Federatës së Futbollit të Argjentinës në Youtube, Scaloni u shpreh optimist për rikthimin e Lionel Messit në kombëtare, me yllin e Barcelonës, i cili mungon që nga ndeshja kundër Francës në Botëror.

“Do të flas me Messin për ta pasur të gatshëm gjatë vitit 2019. Për ne, është diçka shumë e rëndësishme, pasi siç e kam thënë dhe më parë, çdo trajner do të dëshironte ta stërviste atë. Shpresoj se biseda me Messin do të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme, prandaj jam shumë pozitiv lidhur me këtë situatë”, tha tekniku i Argjentinës.

Sfida e parë për Scalonin do të jetë Copa America, e cila do të zhvillohet në 2019-ën, në Brazil. Gjithashtu, trajneri argjentinas dëshiron të vazhdojë me rinovimin e skuadrës, si dhe të kualifikohet në Kupën e Botës pa krijuar shumë probleme të kota.

“Jam i lumtur për konfirmimin dhe mundësinë e vazhdimësisë. Do të përpiqemi të bëjmë gjëra të rëndësishme, si për shembull konsolidimi i skuadrës. Një mënyrë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës është Copa America, më pas kemi dhe kualifikueset. Sigurisht, objektivi i parë është më i rëndësishmi. Do të përpiqemi të japim më të mirën, lojtarët kanë treguar se mund të luajnë si të barabartë me këdo”, deklaroi Scaloni.

Në karrierën e tij si futbollist, Scaloni ka qenë pjesë e Deportivo La Coruñas dhe Mallorcas në Spanjë, si dhe Lazios e Atalantas në Itali.

Ai ishte pjesë e stafit të Jorge Sampaolit në periudhat kur ai drejtonte Sevillan dhe më pas kombëtaren e Argjentinës. Kjo do të jetë gjithashtu përvoja e tij e parë si trajner.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat