Sheva dhe momenti i keq i Milanit: "Kohë e durim. Një penallti ndryshon gjithçka"

Futboll

Sheva dhe momenti i keq i Milanit: "Kohë e durim. Një penallti ndryshon gjithçka"

Më: 7 janar 2019 Në ora: 00:21
Andriy Shevchenko

Një nga legjendat e Milanit, Andriy Shevchenko, ka dhënë një intervistë për Gazzetta dello Sport në Itali, ku natyrisht temë kryesore ka qenë klubi kuqezi.

Trajneri aktual i Ukrainës flet për problemet që po has Milani, në fushë e jashtë saj, ndërsa komenton edhe krizën e Gonzalo Higuain.

"Synimi i Milanit është të shkojë në Champions League dhe po luftojnë, janë shumë pranë dhe uroj të kthehen, sepse ai është vendi i Milanit që mbaj mend. Ky Milan është një projekt, duhet të ndërtohet me qetësi dhe të kthehet pak nga pak në majë, fillimisht në Itali e më pas në Europë. Duhet kohë e durim, por renditja e mirë ndihmon shumë. Edhe dëmtimet kanë ndikuar shumë, sepse skuadra nuk ka ndonjë stol të pasur dhe kur mungojnë disa titullarë rendimenti bie dukshëm".

Për Higuain: "Ka shumë presion mbi të dhe nuk ka pasur as fatin me vete. I referohem penalltisë që gjuajti kundër Juventusit: disa gola të ndryshojnë jetën. Është një lojtar që e di që po luan të ardhmen e vet, nëse Milani shkon në Champions mund të qëndrojë dhe duket qartë që Gonzalo dëshiron të qëndrojë. Thjesht duhet të ruajë qetësinë në momente të vështira, sepse ato kalojnë".

Superkupa Milan-Juve: "Juventusi është skuadra më e fortë e kampionatit, është e pamendueshme që një klub tjetër ta vërë në vështirësi, por në një ndeshje teke nuk i dihet".

Gattuso: "I drejtë konfirmimi i tij, klubi i ka idetë të qarta, nuk lëkundet lehtë. Leonardo e Maldini po punojnë me kompetencë, nuk është e lehtë të kthehesh në majë duke punuar vetëm me huazime. Të shohim si do shkojë apeli në CAS kundër dënimeve të UEFA-s".

E ardhmja e Shevës: "Tani kam vetëm një dëshirë: të çoj Ukrainën në Euro 2020. Jemi në rrugën e duhur, por ka ende shumë punë përpara".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat