Chelsea është i një niveli të lartë

Futboll

Chelsea është i një niveli të lartë

Më: 9 janar 2019 Në ora: 15:01
Eden Hazard

Jermaine Jenas ka pohuar se Eden Hazard është shumë i mirë për skuadrën e Chelsea. Ylli belg pati një tjetër paraqitje mbresëlënëse të martën, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për “Blues”, që humbën 1-0 ndaj Tottenham, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të “Carabao Cup”.

Hazard ka qenë i detyruar të mbajë pjesën më të madhe të barrës te Chelsea këtë sezon, me disa prej shokëve të tij të skuadrës që nuk kanë dhënë dot më të mirën në “Stamford Bridge”.

Ai ka shënuar 12 gola në të gjitha garat këtë sezon dhe është munduar të kompensojë rolin e munguar të Olivier Giroud e Alvaro Morata në fazën sulmuese. 

Duke folur në “BBC Radio 5 Live”, pas ndeshjes, ish-mesfushori i Anglisë, Jenas, kishte shumë lëvdata për Hazard, si dhe kritika për shokët e tij të skuadrës: "Mendova se Eden Hazard i vetëm nuk është i mundshëm për të fituar ndaj Tottenham, dhe ashtu doli. Ai mundohet t’i bëjë të gjitha, sepse shikon se bashkëlojtarët e tjerë nuk janë në lartësinë e kërkuar. 

Chelsea është i një niveli të lartë, por unë mendoj se Hazard e tejkalon si skuadër. Belgu është mbi nivelin e të gjithëve përreth tij. Kurrë nuk mendoja se do ta thoja këtë, por Chelsea nuk është një skuadër e denjë për Hazard".

E ardhmja e ndërkombëtarit belg te blutë e Londrës është në dyshim, sepse ai nuk ka vendosur ende mbi kushtet për një kontratë të re. Real Madridi është lidhur vazhdimisht me Hazard, marrëveshja e tanishme e të cilit në Londër përfundon në fund të sezonit të ardhshëm.

Dhe 28-vjeçari ka refuzuar të ofrojë shumë garanci për tifozët e “Blues”, pasi e ka quajtur kalimin te Real Madridi një ëndërr, në tetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat