Ish-portieri dënohet me 75 vite burg

Futboll

Ish-portieri dënohet me 75 vite burg

Më: 9 janar 2019 Në ora: 15:39
Omar "El Gato" Ortiz Uribe

Ai mund të bëhej trashëgimtar i legjendarit Jorge Campos, ish-portierit meksikan, i cili u bë i njohur për pritjet plot finesë dhe aftësi atletike, që, në dritën e shtatit të ulët (168 cm), e lejoi atë të marrë pjesë në tri Kupa Bote. Në vend të kësaj, Omar "El Gato" Ortiz Uribe do ta shpenzojnë pjesën tjetër të jetës në burgun e ferrit, “Cereso Cadereyta”, në shtetin e Nuevo Leon. Kështu vendosi për të drejtësia meksikane, që pas gati shtatë vitesh gjykimi, e dënoi Ortiz me 75 vjet burg, me akuzën se ka punuar bashkë me një bandë rrëmbyesish, të lidhur me kartelin “Gulf” në Meksikë.

I rritur deri në rini në Monterrey, Ortiz fitoi vendin në kombëtaren e Meksikës, në vitin 2002, duke debutuar në sfidën e Kupës Gold kundër Guatemalës. Kjo përket me vitin, në të cilin Campos, edhe pse u thirr për Kupën e Botës, e “uli receptorin e telefonit” dhe i “vari dorezat në gozhdë”. Meksika po kërkonte trashëgimtarin që i takonte një portieri të tillë.

Në atë moment, Ortiz ishte 26 vjeç dhe shumë mbetën të bindur se portieri "trengjyrësh" i ardhshëm do të ishte vetëm ai. Por, përvojat e mëvonshme me Necaxa, Atlante dhe Jaguares, e nxorën jashtë qendrës së vëmendjes së kombëtares. Më vonë u kthye në Monterrey, në kërkim të një rinie të dytë, edhe pse ishte 31 vjeç. "Gato" shpresonte të gjente një rol udhëheqësi përsëri, por në vitin 2010 i vjen goditja e fortë: skualifikimin për doping, pas një kontrolli në Kupën Libertadores.

Dhe që aty fillon "karrierën" e re, të bëjë gangsterin, i paguar nga trafikantët e drogës. Në vitin 2012, kur ishte gati ta përfundonte skualifikimin dhe shpresonte të rifillonte futbollin, policia e arrestoi si të dyshuar për pjesëmarrje në një bandë grabitësish e rrëmbyesish. Ortiz hyn në burg dhe përfundon në ferr.

"Ai filloi të punojë si informator dhe bashkëpunëtor i rrëmbyesve për shkak të vështirësive financiare, pas skualifikimit për doping, - shpjegonte në atë kohë Jorge Domene Zambrano, një zëdhënës i Ministrisë së Sigurisë së Nuevo Leon. - Ortiz ofronte informacion mbi objektivat e vendosur në shënjestër nga organizata kriminale. Për çdo rrëmbim, që ishte i suksesshëm, ai paguhej me 100.000 pesos (rreth 4.500 euro)".

Gjatë procesit të gjatë hetimor u zbulua se Ortiz ishte në borxh ndaj kartelit kriminal “Gulf”, për shkak të përdorimit të bollshëm të kokainës. Ish-portieri është rrahur disa herë në burg, duke rrezikuar të humbasë njërin sy në vitin 2017, pas një kryengritjeje të dështuar. Tani ka ardhur dënimi final për të, 75 vite burg, më i larti midis atyre që përbënin grupin kriminal.

Drejtësia meksikane ka provuar pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në të paktën 3 rrëmbime nga Ortiz, duke përfshirë edhe atë të një vajze të mitur dhe Armando Gomez, burri e një këngëtareje të njohur në këtë vend. Dhe nga ferri i “Cereso Cadereyta”, sipas të gjitha gjasave, ai nuk do të dalë më kurrë i gjallë...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat