Gjeraj: Asnjë ekip nuk është i qetë - Bota Sot
Gjeraj: Asnjë ekip nuk është i qetë

Futboll

Gjeraj: Asnjë ekip nuk është i qetë

Nga: Kemajl Goca Më: 10 janar 2019 Në ora: 19:18
Robert Gjeraj

Nuk ka qetësi për Lirinë e Prizrenit, të cilën e pret një pranverë shumë e nxehtë në luftë për të siguruar ekzistencën. Skuadra prizrenase është duke i zhvilluar përgatitjet herë në ambient të mbyllur e herë të hapur, por reshjet e borës dhe i ftohti, sado kudo ia kanë komplikuar punët në stërvitje. Liria është në pozitë të palakmueshme përkatësisht në vendin e 10-të me 19 pikë të tubuara, por mbeten me bindje se do të ngritën sa më lartë në pjesën pranverore. Kapiteni i Lirisë, Robert Gjeraj, shprehet se është një kohë me temperatura shumë të ulëta, minus gradë dhe me reshje të borës, që sjellin vështirësi në përgatitje.

“Mendoj se temperaturat e ulëta dhe koha me borë nuk është e vështirë vetëm për ne, por edhe për klubet tjera. Është kohë e keqe që nuk shkojnë përgatitjet sipas planit, por në anën tjetër është e mirë mu përgatitur në aspektin kondicional, derisa të kalojmë në fazën taktike. Trashësia e borës sa është e keqe për stërvitje aq ka edhe ka anën e mirë.  Nëse i kemi fusha të mbyllura, mundem të përgatitemi edhe në pjesën taktike. Ftoftë është këto ditë, shihen edhe temperaturat në minus po ashtu edhe reshjet e fundit të borës, por ne nuk ndalem së punuari.

Duhet me vazhduar me punë sepse gjatë gjithë karrierës na ka përcjellë ftohti dhe jemi mësuar me klimën dimërore”, thotë Gjeraj për gazetën kombëtare “Bota sot”. Mbrojtës – mesfushori, tha se kushtet i kanë shumë të mira dhe janë edhe një motiv shtesë për stërvitje. “Kushtet i kemi të mira, fitnesin e kemi afër qytetit edhe fushat e mbyllura, kështu që nuk kemi ndonjë problem brendapërbrenda. I kemi kushtet e mira, nxemjen, ujin e nxehtë për pastrim, që ka ekipe që nuk ka as ku mu pastruar, ndërsa ne i kemi të gjitha”, theksoi ai.

Kapiteni e pranon se në pranverë duhet të luftojnë që të ikin nga zona e rrezikut. “Liria duhet me luftuar me ikë zonës së barazhit dhe besoj se do të ia dalim. I kemi mundësitë me ikë nga barazhi, diferenca është e vogël me pikë nga ekipet tjera. Mendoj se me përforcime mund të arrijmë qëllimin tonë. Ka raste që nuk kanë mbijetuar skuadrat që kanë bërë shumë përforcime, siç ishte Vllaznia e Pozhoranit. Më mirë me dy-tre përforcime adekuate dhe jo numër të madh përforcimesh, por ato të janë me cilësi”, nënvizoi kapiteni. Sipas tij, të gjitha skuadrat janë të rrezikuar, që nga pozita e katërt.

“Mendoj se të gjithë janë te rrezikuara, por nuk duhet të flejmë rehat, dihet se pranvera është e nxehtë. Asnjë ekip nuk është i qetë, edhe nga ana psikike, sepse kur nuk e ke ditën edhe me një humbje të çon në fund të tabelës. Mos të harrojmë, nëse edhe Ferizaj riorganizohet, atëherë të gjitha ekipet do të luftojnë për barazh”, tha ai. Edhe pse ka reshje të mëdha të borës, prizrenasit vrapojnë edhe në stadium të qytetit: “Edhe në stadium po vrapojnë ngapak, ndoshta nga java e ardhshme mund të shkojmë jashtë qytetit dhe ndoshta edhe në përgatitje dyjavore, por varet se si vendos kryesia e klubit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...