Diego Simeone gjatë dy viteve të fundit është shprehur shpesh se një ditë do të marrë drejtimin e Interit, skuadër tek e cila është aktivizuar edhe si futbollist dhe ka kujtime shumë të bukura.
Megjithatë mbërritja e argjentinasit në Milano do të shtyhet edhe për disa vite, pasi aktualisht Simeone është i lumtur tek Atletico e Madridit dhe është gati të rinovojë kontratën me Los Colchoneros.
Lajmin e ka konfirmuar “AS”, që raporton se përfaqësuesit e teknikut argjentinas gjatë orëve të fundit kanë arritur një marrëveshje me drejtuesit e klubit të Atletico Madridit, për një rinovim, që do ta zgjaste kontratën mes palëve edhe për një vit tjetër.
Kështu, skadimi i kontratës, i parashikuar të ndodhte në vitin 2020, tashmë do të ndodhë një vit më pas, në 2021.
I njëjti burim informacioni zbulon edhe detajin që ndikoi fuqishëm në këtë marrëveshje rinovimi.
Sipas “AS”, është pikërisht blerja e Alvaro Moratës nga ana Atletico Madridi, një transaksion që pritet të zyrtarizohet, faktori që ndikoi në rinovimin e Simeones.
Tashmë “Colchoneros” po presin fillimin e muajit shkurt, për të njoftuar zyrtarisht rinovimin e atij që tashmë është trajneri historik i Atletico Madridit.