Fusha katastrofë, gabimet e FSHF-së

Futboll

Fusha katastrofë, gabimet e FSHF-së

Më: 22 janar 2019 Në ora: 17:38
Fusha katastrofë, gabimet e FSHF-së

Fitorja 4:2 ndaj Kastriotit i ka dhënë Partizanit thuajse kualifikimin në fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Megjithatë, ndeshja në Fushë-Krujë, në një terren makabër në "Redi Maloku", nuk ishte aspak e lehtë, sidomos sepse krutanët e Devollit shënuan të parët me Vatnikaj.

Stacioni i radhës do të jetë Korça, përballja me Skënderbeun, që këtë sezon të kuqtë nuk e kanë mundur (humbje në transfertë dhe shtëpi). Trajneri Skënder Gega, i ndalur nga gazetarët pas fitores me Kastriotin, ka folur rreth ndeshjes, rinovimit edhe për   një tjetër sezon dhe sidomos merkatos, ku mund të ketë një afrim surprizë në fund.

"Është një ndeshje që ka problemet e veta. Fusha, pa dashur të ankohem, është jashtë çdo norme dhe parametri për të luajtur futboll. Megjithatë goli nuk ishte faj i fushës, por i vendosjes dhe vëmendjes. Për fat të mirë djemtë e morën seriozisht ndeshjen e Kupës dhe jam i kënaqur nga impenjimi dhe nga mënyra si mbaroi loja.

"Jemi pjesë e kampionatit dhe i kemi pranuar këto kushte. Ne te gjithë i kanë pranuar këto kushte, nuk dalim dot jashtë tyre. Shpresoj të rregullohen gjërat".

Sinjalet pozitive erdhën nga Hebaj, që shënoi dy gola, por edhe debutimi i Lum Rexhepit. Ja si e komenton Gega. Ndërkohë, trajneri flet edhe për një mundësi tjetër afrimi.

"Është ndeshje kupe dhe mendova që një pjesë që nuk e ka marrë minutazhin që pretendohet, të luajë. Duam t’u japim të gjithëve minutazh. U paraqiten mirë pa përjashtim dhe shpresoj të jenë ndihmë e madhe, si Rexhepi, edhe të tjerët në vazhdim".

"Klubi po punon, merkato është e rëndësishme. Unë teknikisht bëj përzgjedhjen. Deri tani kanë shkuar gjërat mirë. Do shikojmë se çfarë do të vijë deri më datë 30. Shpresojmë të na vijë një lojtar i saktë".

Rinovimi i kontratës gëzoi jo pak teknikun e kuq. "Kur kam ardhur nuk kam premtuar që do të jem afatgjatë. Çdo gjë e kam marrë në kohën e duhur. Jam i kënaqur, jam i lumtur dhe jashtëzakonisht mirënjohës lojtarëve dhe klubit, presidentit dhe të gjithëve. Do mundohem të punoj me këtë përkushtim, gjërat e tjera pak rëndësi kanë. Për mua është fat të jem mes këtij grupi".

Në fund, nuk mund të mos flitej edhe për shanset për titull dhe përballjen ndaj Skënderbeut. A është gati ky Partizan për fazën e tretë dhe më tej?

"Patjetër. Kemi luajtur me ekipe të mira, kemi luajtur si të barabartë dhe me personalitet. Ndeshja në Korçë është jashtëzakonisht e fortë, i respektojmë si kundërshtar dhe jemi gati për çdo lloj sfidë. Do mundohemi të marrim më të mirën".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat