Ferati: Fshati Hogosht jeton me futbollin

Futboll

Ferati: Fshati Hogosht jeton me futbollin

Nga: Kemajl Goca Më: 29 janar 2019 Në ora: 10:31
Ferati: Fshati Hogosht jeton me futbollin

Liga e Parë e Kosovës është mjaft joshëse për tifozët, pasi që disa ekipe luftojnë të ngritën në elitën e futbollit, por disa janë në zonën e rrezikut dhe i pret një pranverë jashtëzakonisht e nxehtë. Ndër skuadrat e rrezikuara është edhe Kika nga Hogoshti, fshat nga Kamenica.  Sulmuesi i kësaj skuadre, Lirian Ferati, beson e shpreson se në pranverë do të janë më të mirë dhe nuk do të vijë në shprehje që të mendojnë për mbetjen në ligë.

Ferati është sulmuesi më i mirë i ligës i cili është alfa dhe omega e skuadrës së tij, pasi nga 17 gola e shënuara gjatë vjeshtës, 12 i ka shënuar vet, krahas kësaj realizoi edhe për tri për Kupë. Kika pretendon të jetë më e organizuar dhe më e fortë për pjesën e dytë të kampionatit. Kika renditet në vend të 13-të me 15 pikë dhe synon që të ngritët sa më lartë në renditje. Sulmuesi tha se është shënuesi më i mirë, por sipas tij ky sukses është meritë e të gjithëve në kolektiv.

Ai premton se do të angazhohet maksimalisht për të shënuar rezultate edhe më të mira që t’i bën të lumtur fshatin Hogosht.  Ndër më të merituarit për sukseset e Feratit janë dhe trajnerët, në radhë të parë është ish trajneri Enver Sermaxhaj, pastaj trajnerët aktual Hetem Sogojeva dhe Bujar Vraniqi. Ferati parashikon një pranverë shumë interesante si në luftë për titull po ashtu edhe për mbijetesë, por nuk i përjashton edhe befasitë si gjithmonë. Synimi i Feratit është që t’i mbush bateritë për pjesën e dytë të kampionatit dhe si sulmues të jetë edhe më efikas se sa ishte në vjeshtë.

“Bota sot”: Tash e një kohë në ekipin e Kikës, shënuesi më i mirë, si kaloni në këtë mjedis?

Lirian Ferati: Si shënuesi më i mirë pa ndihmën e bashkëlojtarëve dhe trajnerëve nuk kisha me qenë kështu. Kalojmë tepër mirë dhe jemi një grup shumë homogjen dhe djem fantastik. Të gjithë punojmë për njërin tjetrin në kërkim të rezultateve sa më të mira.

“Bota sot”: Si e sheh Kikën në pranverë?

Lirian Ferati: Kikën në pranverë e shoh shumë më stabile dhe me synime të qarta: Mesi i tabelës. Jemi një ekip mirë e organizuar dhe besoj se edhe rezultatet do të janë evidente.

“Bota sot”: Kika është në zonën e rrezikut, a shpresoni se do të mbijetoni?

Lirian Ferati: Po, Kika është në zonën e rrezikut, por nuk e meritojmë të jem aty, por kemi synime të qarta, mesi i tabelës. Mbijetesa nuk diskutohet. Do të japim maksimumin në pranverë dhe do t’i kënaqim edhe dashamirët tanë.

“Bota sot”: Cilat skuadra i sheh në luftë për dy vendet e para e cila për mbijetesë?

Lirian Ferati: Për dy vendet e para i shoh: Vushtrrinë, Vëllaznimin, Vitinë dhe Dukagjinin. Për mbijetesë: Vllazninë, Bashkimin, Fushë Kosovën, Ramiz Sadikun, 2 Korrikun dhe Kikën. Ka shumë ndeshje deri në fund dhe gjithçka është e hapur,  mund të kemi edhe befasi të mëdha si gjithmonë në futboll.

“Bota sot”: A jeni i kënaqur me kushtet dhe Çka premton?

Lirian Ferati: Kushtet janë të mira vetëm pak infrastruktura na mungon. Premtoj vazhdimësi dhe suksese bashkë me skuadrën. E jona është të japim maksimumin, të luftojmë për rezultatet sa më të mira. Sepse Hogoshti meriton rezultate sa më të mira, sepse është fshat që jeton me futbollin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat