Barcelona kërkon ta vazhdojë serinë e fitorëve në La Liga

Futboll

Barcelona kërkon ta vazhdojë serinë e fitorëve në La Liga

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 10:20
Barcelona

Barcelona do të luajë ndeshjen e nëntë në harkun e vetëm katër javëve, teksa do të përballet në shtëpi me skuadrën e Valencias.

Një fazë e ngjeshur por njëkohësisht edhe tepër e vështirë, sidoqoftë përmbysja fantastike ndaj Seviljes në Kupën e Mbretit e bën gjithashtu edhe një periudhë shumë të bukur për futbollistët e Valverdes.

Kthimi i disavantazhit 2-0 ndaj skuadrës andaluziane tregon qartë se ekipi katalanas këtë sezon kërkon të gllabërojë gjithçka. 17 javë para fundit në ligën spanjolle avantazhi i kampionëve në fuqi është 5 pikë kundrejt Atletikos së Madridit, ndërkaq pas shortit të hedhur Kupa e Mbretit ofron “El clasico”-n e dytë të sezonit, madje ndeshja e vajtjes do të mbahet në “Camp Nou” pikërisht të mërkurën e ardhshme.

Për takimin e mesjavës në kupë duhet natyrisht të mendojë edhe skuadra e drejtuar nga Marcelino Garcia Toral, që javën e kaluar skualifikoi Getafe-n në mënyrë të pabesueshme, me dy gola në kohën shtesë nga sulmuesi brazilian Rodrigo. Takimi do të luhet në orën 18:30 dhe miqtë pritet të shfaqen më të freskët në fushë, pasi ndryshe nga Barça në Kupën e Spanjës Valencia luajti të martën në mbrëmje, ndërsa sfidën e fazës gjysmëfinale me Betisin në Andaluzi “los che” do ta zhvillojnë ditën e enjte.

Ernesto Valverde nuk do të ketë në dispozicion zëvendëskapitenin Sergi Busquets, për më tepër në fazën e parë skuadra blaugrana u bllokua në “Mestalla” në një barazim 1-1 nga formacioni i Marselinjos. Në mbrëmje në orën 20:45 Celta ka një rast të shkëlqyer për të përfituar nga lodhja dhe problemet fizike të Seviljes, ndeshje ku ekipi galician paraqitet pas plot pesë humbjeve rresht në Primera Division, ecuri që e ka zbritur rrezikshëm klubin nga Vigo në vendin e tretë nga fundi, në tabelën e renditjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat