Zyrtare: Shpëtim Duro largohet nga Drita - Bota Sot
Zyrtare: Shpëtim Duro largohet nga Drita

Futboll

Zyrtare: Shpëtim Duro largohet nga Drita

Më: 11 shkurt 2019 Në ora: 12:07
Shpëtim Duro

Shpëtim Duro ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit të Dritës të hënën, pesë muaj pasi ishte emëruar trajner.

Një ditë pasi Drita u eliminua nga Kupa e Kosovës, trajneri Shpëtim Duro ka dhënë dorëheqje duke i dhënë fund qëndrimit të shkurtër pothuajse pesëmujor në drejtim të klub..

Kampioni në fuqi i Ipko Superligës së Kosovës, u eliminua nga Digitalb Kupa e Kosovës pasi humbi 1-0 në çerekfinale ndaj Vëllaznimit, klubit që bën gara në Ligën e Parë, nivelin e dytë të futbollit vendor.

Si pasojë, trajneri nga Shqipëria Duro dhe Drita kanë vendosur t’i ndajnë rrugët një ditë më vonë. Në një njoftim në faqen e vet zyrtare në Facebook, klubi nga Gjilani njoftoi se Duro ka dhënë dorëheqje pas një mbledhjeje me kryesinë e klubit.

“Klubi jonë FC DRITA ju njofton që ka dhënë dorëheqje kryetreneri Duro!

Pas një takimi që kishim menjëherë pas ndeshjes së djeshme, me një marrëveshje mes dy palësh është vendosur që të ndërpritet bashkëpunimi”, thuhet në njoftimin e Dritës.

Duke qenë se Drita e nisi në mënyrën më të keqe të mundshme mbrojtjen e titullit në Superligë këtë sezon, synimi i vetëm i klubit mbeti kupa shtetërore. Por, me eliminimin e befasishëm nga kjo garë, vjen edhe largimi i Duros.

“Pas eliminimit nga kupa e Kosovës, dhe dalja nga objektivi i vetëm i klubit për këtë sezon, z.Duro ka ofruar dorëheqjen, gjë që është pranuar nga klubi bardh e kaltër”, thuhet në njoftim.

Drita e ka falënderuar trajnerin shqiptar për punën dhe profesionalizmin e treguar në klub, të cilit i ndihmojë të dalë nga zona e rënies nga liga.

Në 12 ndeshje sa e udhëhoqi Dritën në Superligë, Duro regjistroi 6 fitore, 4 humbje dhe dy barazime dhe tani, pak ditë para fillimit të stinorit pranveror, e lë klubit gjilanas në pozitën e gjashtë me 23 pikë.  

“FC DRITA e falënderon profesor Duron për punën profesionale që ka bërë me klubin dhe i dëshiron shumë suksese”, thuhet në fund të njoftimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...