Icardi mungon edhe të dielën, kuotat e basteve e çojnë në Spanjë

Futboll

Icardi mungon edhe të dielën, kuotat e basteve e çojnë në Spanjë

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 12:21
Icardi

Shën Valentin me divorc për Interin, sepse praktikisht dashuria me ish-kapitenin Mauro Icardi vdiq këtë të mërkurë, kur klubi vendosi t'i hiqte shiritin e kapitenit.

Asnjë shpjegim nga klubi, ndërkohë që trajneri Luciano Spalletti lëshoi bombën tjetër: "Icardi ishte i grumbulluar për ndeshjen kundër Rapidit në Europa League, por refuzoi të shkonte në Austri".

E pabesueshme, një futbollist refuzon të zbresë në fushë! Ndërkaq, sot Icardi është paraqitur në qendrën stërvitore në Appiano dhe po kurohet për një dëmtim në kavilje. Do të mungojë edhe të dielën, në ndeshjen kundër Sampdorias, raportojnë mediat në Itali, duke krijuar rrëmujë totale, sepse nëse Icardi është vërtet i dëmtuar, pse Spalletti e kishte në listë për ndeshjen kundër Rapidit dhe pse doli para mediave për të sulmuar argjentinasin, kur fare mirë mund të shpjegonte që Icardi ka dëmtim? Heshtje nga të gjithë, edhe nga Wanda, që këtë radhë ka postuar në Twitter vetëm një foto të fëmijëve të saj.

Shumë mistere, por një gjë është e sigurt për të gjithë: Icardi në verë do të largohet, sepse problemet me Interin nuk janë vetëm financiare. Interi i ka ofruar 7 milionë euro në vit për të rinovuar, Wanda Nara kërkon të paktën 10 milionë, ndërsa klauzola për prishjen e kontratës është 110 milionë euro.

Kush e blen? Në Itali nuk bëhet fjalë, por jashtë saj çdo klub mund ta rrëmbejë sulmuesin nëse paguan 110 milionë euro. 

Tregu i basteve ka nisur që tani kuotimin se ku do të shkojë 25-vjeçari dhe për momentin në avantazh është Reali i Madridit, që kuotohet 3 në Stanleybet, kompani britanike që parashikon El Clasico, sepse Barcelona kuotohet e dyta, 6.

Gjithsesi, me pak kujdes dhe guxim, mund të tentohet kuota 25 për transferim te Chelsea, sepse në verë me shumë gjasa Blutë do të investojnë fuqishëm për sulmues, duke qenë se Gonzalo Higuain është preferencë e trajnerit Sarri dhe ky nuk duket se e ka të gjatë në stolin e skuadrës londineze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat