“Policia e Shtetit është bërë private”. Është ky denoncimi që bën klubi i Laçit përmes presidentit Pashk Laska. Duke folur për “Panorama Sport” në lidhje me sigurinë në stadiume, kreu i klubit kurbinas, i cili është pjesë e futbollit prej afro dy dekadash, tregoi edhe një rast kur është vepruar me dy standarde gjatë këtij sezoni.
“Për mendimin tim, Policia Shtetit është bërë private. E them këtë, sepse kur dëshiron, futet në stadium, ndërsa kur nuk i pëlqen, nuk ” futet”, thotë fillimisht Laska, për të ilustruar më pas edhe rastin që ka ndodhur gjatë këtij sezoni në ndeshjen Laçi-Partizani, e vlefshme për kampionat.
“Po marr një shembull konkret në ndeshjen Laçi-Partizani, ku policia dhe FNSH-ja ishin prezente në stadium dhe bënë mirë. Por, nuk është normale të punohet me dy standarde, ku njëri trajtohet si i nënës dhe tjetri si i njerkës. Prandaj, dhe unë po e quaj policinë private”, deklaroi Laska.
Ndërkohë, vlen për t’u theksuar se gjatë këtij sezoni nuk ka pasur incidente në stadiumin e Laçit, që është konsideruar gjithnjë si një impiant i nxehtë.