Duhej të fitonin dhe nuk zhgënjyen! Kukësi ka fituar me rezultatin 3-0 ndaj Luftëtarit në takimin e luajtur në stadiumin "Elbasan Arena". Ekipi i Cungut iu fal golave të Limjat dhe Dzarias në pjesën e parë, ndërsa në të dytën kontrolluan takimin dhe shënuan golin e tretë me Ramën për 3 pikë të vlefshme për të mbajtur gjallë shpresat për titull.
Ekipi verilindor e nisi me vrull që në minutat e para të takimit. Nënkampionët morën goditjen e parë në minutën e 10', pasi Cuculi u detyrua të linte fushën i dëmtuar. Largimi i mbrojtësit nuk ndikoi shumë në lojën e ekipit. Me kalimin e minutave, presioni në portën kundërshtare u rrit. Ishte Limaj në minutën e 22' që i dha avantazhin ekipit të tij. Mesfushori shfrytëzoi një top të kthyer nga zona e Luftëtari dhe me një goditje nga distanca mposht portierin Ruçi për 1-0.
Goli liron kuksianët që luajnë më mirë, por dhe kundërshtarët që hapen më shumë. Në mbyllje të pjesës së parë një goditje dënimi e fituar në gjysmëfushën kundërshtare i jep avantazhin e dyfishtë Kukësit. Çyrbja fton Ethemin që fut një kros drejt zonës. Dzaria vetëm pak metra larg portës nuk gabon për 2-0, në minutën e 45'+2'.
Në pjesën e dytë Luftëtari futet me një tjetër qëllim dhe lufton fort për të gjetur barazimin. Kukësi tërhiqet më shumë dhe i fal terren kundërshtarëve, por mbrohet mirë. Dunga nuk është në një ditë të mirë për të ngushtuar diferencën, ndërsa Fili nuk krijon rrezik në portën e Frashërit. Në minutën e 89', gjirokastritët pretendojnë për penallti nga një ndërhyrje e Teqjes, por gjithçka e rregullt për kryesorin Kridens Meta.
Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej me fitoren 2-0 ishte Rama që realizoi golin e tretë për Kukësin. Kundërsulm vrasës me Reginaldon që fton Ramën, ky i fundit realizon me parabolë duke shfrytëzuar daljen e Rucit. Gol mjaft i bukur.
Përfundimisht, Kukësi fiton 3-0 dhe ngushton diferencën në 6 pikë ndaj Partizanit. Luftëtari mbetet në kuotën e 25 pikë në vendin e 8-të, por në pritje të ndeshjes së Kastriotit ndaj Flamurtarit.