Emirates Stadium do të jetë arena ku Arsenali do të mirëpresë Manchester United, në duelin që vlen më shumë se 3 pikët, pasi suksesi për njërin prej ekipeve do t’i jepte atyre mundësinë të renditeshin në zonën Champions. 2019-ta ka nisur mirë për “Topçinjtë e Londrës” me plot 5 fitore, por në krahun tjetër Solskjaer dhe Manchesteri i tij po zhvillojnë ndeshje të çmendura, e fundit ndaj PSG ishte një arritje fenomenale e “Djajve të Kuq” dhe që sigurisht i ka karikuar jo pak për duelin e kësaj të diele.
Në transfertë United ndihet komod dhe këtë e reflektojnë sukseset e arritura plot 8 fitore rradhazi në të gjithë kompeticionët ku ata marrin pjesë. Hera e fundit kur United humbiste në Premier League, ishte 16 dhejtori i vitit të kaluar ndaj Liverpollit dhe asokohe në stol ishte Jose Mourinho. Moment pozitiv mund të thuhet edhe për Arsenalin pavarësisht se në takimin e tyre të fundit në derbin e Londrës ndaj Tottenhamit nuk mundën dot të shkonin më shumë sesa një barazim.
Problem për Solsjkjaer janë mungesat e Sanchez , Valencia, Mata dhe Lingard. Sidoqoftë ajo që ka treguar Manchester United në epokën Solsjkjaer është vërtet e paimagjinueshme, teksa përballë ka një tjetër mision të vështirë që duhet ta kalojë. Për Arsenalin një tjetër sezon jashtë Championsit do të ishte dështim. Sidoqoftë përtej çdo analize forma e Arsenalit dhe Manchester United rezervon një spektakël të vërtetë.