Levandovski sulmon trajnerin Kovaç: Vetëm mbrohet, nuk kisha çfarë të bëja në sulm

Futboll

Levandovski sulmon trajnerin Kovaç: Vetëm mbrohet, nuk kisha çfarë të bëja në sulm

Më: 15 mars 2019 Në ora: 19:52
Levandovski & Kovac

Sulmuesi i Bajernit, Robert Levandovski, ishte një nga lojtarët e pakët të Bajernit që u mundua të bënte diçka për të shmangur eliminimin e skuadrës gjermane nga Champions-i. Por polaku ishte i vetëm në sulm duke e pasur të pamundur të ndihmonte skuadrën. Pas ndeshjes, ai u shfaq shumë i mërzitur për largimin e parakohshëm nga Europa.

“U munduam të ushtronim presion ndaj Liverpulit, por fatkeqësisht ishim shumë të dobët në sulm”, tha sulmuesi. Në pjesën më të madhe të rasteve ishim 2 kundër 4 dhe s’mund të bënim asgjë. Pata disa duele, por e kisha shumë të vështirë t’ia dilja i vetëm, sepse kur ke përballë 2-3 mbrojtës të fortë, është e pamundur të jesh i rrezikshëm”.

Më pas, ai foli edhe për taktikat e përdoruara nga trajneri Kovaç për ndeshjen e së mërkurës. “Ne e dinim se do të ishte një ndeshje e luftuar, por në të dyja takimet luajtëm shumë të tërhequr. Nuk tentuam kurrë të merrnim iniciativë dhe të vinim kundërshtarin në rrezik, pra, të ishim Bajerni. Kjo nuk ndodhi. Ata nuk u ndien kurrë nën presion nga ne. U mbrojtëm shumë, nuk arrij ta kuptoj arsyen pse ndodhi kjo gjë. Gjatë javës bëmë plane të tjera duke menduar të sulmojnë kundërshtarin”.

Fjalë këto që shkojnë drejt Niko Kovaç, i cili duket se është nën akuzë nga bomberi polak. Levandovski u transferua në 2012 nga Borusia e Dortmundit te Bajerni i Mynihut për të fituar një trofe të rëndësishëm, siç është ai i Ligës së Kampioneve. Por sulmuesi dështoi ashtu si dhe skuadra e tij duke u eliminuar çdo vit në gjysmëfinale. Kjo ishte edhe arsyeja pse lojtari këmbënguli të shkonte në Madrid. Por ishte pikërisht trajneri Kovaç ai që bindi sulmuesin për të qëndruar të paktën edhe një sezon në Mynih. Zhgënjimi është i madh te polaku, i cili mund të vendosë të largohet në fund të sezonit. Ëndrra për të fituar kupën me veshë të mëdhenj duket se do të mbetet në sirtar. Më shumë se eliminimi nga Champions-i, ishte loja e skuadrës ajo që i ka lënë Levës një shije të hidhur duke menduar të ndërrojë ambient, ndoshta në muajt e ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat