Superliga e Kosovës me 10 skuadra

Futboll

Superliga e Kosovës me 10 skuadra

Nga: K. Goca Më: 28 mars 2019 Në ora: 19:57
Ilustrim

Kuvendi i Punës i Federatës së Futbollit të Kosovës mori vendim që nga stinori 2020/2021, Superliga të ketë vetëm 10 skuadra. Një gjë e tillë erdhi për të rritur konkurrencën dhe cilësinë mes skuadrave garuese.

Delegatët e kuvendit e votuan njëzëri këtë propozim. Nga sistemi aktual, dy skuadra do të eliminohen për t’iu përshtatur sistemit të ri nga vjeshta e vitit 2020. Në Kuvendin që u mbajt në Hotel “Emerald”, morën pjesë 54 nga 59 delegatë sa ka gjithsej Kuvendi. Delegatët kanë votuar për Raportin e Punës dhe Raportin Financiar për vitin 2018 në FFK, Raportin e Garave dhe parashtresa e ankesa dhe vendime të ndryshme.

Kryetari i FSHF-së, Armand Duka, tha: “Rezultatet e fundit të FFK-së, e sidomos ato të ekipit Kombëtar do ta bëjnë të pendohet këdo që nuk ka qenë në favor të anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA”. “Në këtë Kuvend jam i nderuar që vijmë por edhe i trishtuar sepse mungon miku im i dhe ish Presidenti i FFK-së Fadil Vokrri, tha kryetari i FFK-së, Agim Ademi. Ai foli për projektet kryesore të FFK-së përgjatë vitit 2018, ku përmendi investimet në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe dy projektet e mëdha që do të vazhdojnë këtë vit – Kampin Nacional në Obiliq dhe Shtëpinë e Futbollit.

“Për të dyja këto projekte tashmë ka përfunduar puna me dokumentacion dhe sivjet pritet të fillojnë punimet në ndërtim,” u shpreh ai. Më tej, Ademi komentoi edhe sukseset e Kombëtares “Dardane”, duke thënë: “Kombëtarja e Kosovës është storie e suksesit në UEFA. “Duke i falënderuar të gjithë që punuan deri këtu, derisa suksesi ka ardhur nën trajnerin Bernard Challandes, Kombëtarja jonë po e arrin një gjë të cilën të gjithë e dojmë. Shpresojmë që Kombëtaren do ta shohim në Kampionatin Evropian 2020”.

Në kuadër të prezantimit të punës së FFK-së për vitin 2018, u tha se një nga prioritetet e kësaj organizate është regjistrimi i të gjithë lojtarëve dhe pajisja e tyre me ID të FIFA-s, në kuadër të programit “FIFA Connect.

Sipas planit të FFK-së, secili lojtar që nga mosha gjashtë-vjeçare deri tek kategoria e seniorëve, si dhe zyrtarët e klubeve dhe personat tjerë të përfshirë në ndeshje, do të regjistrohen në “FIFA Connect” dhe do të kenë ID të FIFA-s. Buxheti i FFK-së për vitin 2018 ka pasur vlerë mbi 11 milionë euro dhe gati 90% e këtyre të hyrave janë nga FIFA dhe UEFA, kurse pak mbi 10% nga të hyrat e FFK-së janë nga sponsorët, dënimet, anëtarësimet, sponsorimet dhe të drejtat televizive. Në këtë buxhet nuk figuron shifra prej 500 mijë eurosh që ishte premtuar si premi për ekipin Kombëtar nga Kryetari i PDK-së dhe i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Pagat e selektorëve dhe shpenzimet në paga e meditje për ekipet Kombëtare mbërrijnë mbi 2 milionë euro, pjesa më e madhe shkon në ekipin kombëtar A. Mbi 150,000 euro janë shpenzuar për staf dhe meditje në Kombëtaren A. Delegati i Trepçës’89, Abedin Zeka propozon pagë për bashkëshorten e Fadil Vokrrit, Kuvendi e miratoi kërkesën. Në Kuvendin e Punës së FFK-së, delegatët miratuan raportet financiare dhe ato të punës e të garave të FFK-së pa vërejtje dhe po ashtu kaloi edhe vendimi për një pagë/pension për bashkëshorten e ish Kryetarit të FFK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat